Sport 8 Dhjetor 2023, 17:06

E ardhmja e Karlo Ançelotit në dyshim, Gjykata shkarkon nga detyra Presidentit e Federatës Braziliane të Futbollit

Shkruar nga Pamfleti

E ardhmja e Karlo Ançelotit në dyshim, Gjykata shkarkon nga detyra

Futbolli brazilian për momentin mbetet pa drejtues. Federata Braziliane e Futbollit ka marrë një goditje së fundmi, pasi Gjykata e Drejtësisë e ka shpallur si të paligjshme zgjedhjen e presidentit Ednaldo Rodriguez dhe ka vendosur shkarkimin e tij. Rodriguez u bë president i përkohshëm i federatës në gusht të vitit 2021, kur paraardhësi i tij dha dorëheqjen pas akuzave për ngacmime seksuale.

Mandati i Rodriguezit duhej të skadonte në prill të vitit 2023, por në mars të vitit 2022 u anashkalua me firmën e një marrëveshjeje midis Rodriguezit dhe Prokurorisë së Rio De Zhaneiros që lejonte zgjedhjen e presidentit në mënyrë përfundimtare, si kandidat i vetëm. Pikërisht kjo marrëveshje është kundërshtuar nga zv.presidentët e Federatës Braziliane, dhe për këtë arsye u shpall si e paligjshme nga Gjykata.

Nëse këto zhvillime në futbollin brazilian mbeten në fuqi, mund të sjellin ndryshime rreth të ardhmes së trajnerit Karlo Ançeloti, të cilin Rodriguez e kishte kandidatin kryesor për marrjen e drejtimit të kombëtares së Brazilit, zgjedhje kjo e kundërshtuar nga shumë personazhe. Situata mund të ndryshojë, por duhet pritur edhe apelimi, të cilin Rodriguez ka të drejtë ta bëjë brenda 30 ditëve nga shpallja e vendimit të gjykatës.

ednaldo rodriguez federata braziliane e futbollit