
Granit Xhaka ka ndarë një rrëfim personal gjatë një interviste për BBC Sport, ku ka folur hapur për përjetimet emocionale dhe ndikimin që karriera e tij në futboll ka pasur në jetën jashtë fushës.
Mesfushori shqiptar ka pranuar se vetmia është një nga aspektet më të vështira për të, duke theksuar se ka nevojë të vazhdueshme për praninë e njerëzve të afërt. Sipas tij, kjo lidhet drejtpërdrejt me përvojat e kaluara gjatë karrierës sportive.
“E urrej të jem vetëm. Nuk më pëlqen të jem i vetmuar. Mendoj se kjo lidhet me karrierën time në futboll dhe me disa momente jo të mira që kemi kaluar”, është shprehur Xhaka.
Ai ka theksuar se familja përfaqëson mbështetjen kryesore në jetën e tij dhe se mungesa e saj ndikon ndjeshëm në përditshmëri.
“Jam një person që, nëse familja ime nuk është këtu, më duhen njerëz afër. Kam nevojë të kem dikë pranë”, ka deklaruar futbollisti.
Në intervistë, Xhaka ka ndarë edhe një detaj personal që ilustron vështirësinë e tij për të qëndruar vetëm. Ai ka treguar se, në rastet kur bashkëshortja ose fëmijët nuk ndodhen në shtëpi, shmang qëndrimin i vetëm në dhomën e gjumit.
“Për shembull, nëse gruaja ime apo fëmijët nuk janë në shtëpi, unë nuk fle në dhomën e gjumit. Fle në sallon apo diku tjetër. Ndihem shumë keq”, ka përfunduar ai.
Rrëfimi i Xhakës hedh dritë mbi anën njerëzore të një futbollisti elitar, duke treguar se pas karrierës dhe presionit profesional fshihen përjetime personale dhe emocionale të forta.
Lini një Përgjigje