
Ernest Muçi do të vazhdojë të qëndrojë i huazuar te Trabzonspori, ndërsa drejtuesit e klubit kanë vendosur që vendimi përfundimtar mbi të ardhmen e tij të merret vetëm pas përfundimit të sezonit.
Trajneri Fatih Teke, së bashku me stafin teknik, po këmbëngulin që kartoni i sulmuesit shqiptar të blihet menjëherë nga Beshiktashi, duke u bazuar në paraqitjet e tij shumë pozitive në javët e fundit.
Sipas mediave turke, konkretisht “SuperHaber”, Muçi po kalon një formë të jashtëzakonshme, me 12 gola dhe pesë asistime të regjistruara në më pak se tre muaj aktivizimi me Trabzonsporin.
Burime nga stafi teknik i klubit citojnë se, nëse tarifa e transferimit paguhet para përfundimit të sezonit, kjo do të ndikonte pozitivisht në rritjen e mëtejshme të performancës së lojtarit dhe në ruajtjen e qëndrueshmërisë së tij në fushë.
Huazimi i Ernest Muçit i ka kushtuar Trabzonsporit 1 milion euro. Për blerjen përfundimtare të kartonit, klubi duhet të paguajë edhe 8.5 milionë euro të tjera ndaj Beshiktashit. Megjithatë, presidenti Ertugrul Dogan nuk po nxiton për të marrë një vendim, duke preferuar të presë zhvillimet deri në fund të sezonit.
Lini një Përgjigje