
Mbrojtësi shqiptar i Kosovës, Albian Hajdari, po kalon një sezon të jashtëzakonshëm me Hoffenheim në Bundesligën gjermane. Futbollisti 22-vjeçar iu bashkua klubit gjerman në verën e vitit 2025, pasi u largua nga Lugano, dhe menjëherë u shndërrua në një nga shtyllat e skuadrës.
Te Hoffenheim, Hajdari është titullar i padiskutueshëm, duke regjistruar 18 paraqitje nga 21 ndeshje të mundshme në kampionat. Forma e tij e mirë ka ndikuar edhe në rritjen e vlerës në treg, e cila sipas “Transfermarkt” ka arritur në 12 milionë euro.
Në të kaluarën, Hajdari ka qenë pjesë edhe e Juventusit U-19, megjithatë nuk arriti të depërtojë në ekipin e parë të klubit italian. Në një prononcim për kanalin zyrtar “bundesliga.com”, ai ka folur për atë periudhë, duke e cilësuar si të vështirë nga ana sportive, por të rëndësishme për formimin e tij personal.
“Juventusi? Nga perspektiva sportive, nuk ishte përvojë e mirë për mua. Por ishte shumë e rëndësishme për mua si person. Isha vetëm 18-vjeçar, në një vend tjetër, me kulturë dhe gjuhë të re, larg familjes. Në retrospektivë, më ka ndihmuar shumë, por si adoleshent nuk ishte e lehtë”, është shprehur Hajdari.
Ai ka zbuluar gjithashtu se gjatë asaj kohe pati mundësinë të bashkëbisedonte shpesh me Cristiano Ronaldon, i cili në atë periudhë ishte pjesë e Juventusit.
“Si 18-vjeçar zakonisht vetëm shikon dhe nuk ke guxim të flasësh me yje të nivelit botëror. Por ata më kanë ndihmuar shumë, si person dhe si futbollist. Me Ronaldon kemi kaluar kohë bashkë në palestër para stërvitjeve dhe çdo mëngjes flisnim rreth 20 minuta. Ishte një privilegj”, ka treguar ai.
Sipas Hajdarit, ylli portugez i dha edhe një këshillë të vlefshme për karrierën: të përqendrohet te futbolli dhe zhvillimi personal, duke theksuar se gjëja më e rëndësishme mbetet familja.
Aktualisht, Hajdari po e dëshmon veten në Bundesligë, duke u afirmuar si një nga mbrojtësit më premtues të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje