
Elbasani ka marrë një fitore tepër të rëndësishme në javën e 33-të të Kategoria Superiore, duke mundur Vllazninë me rezultatin 3-1 në “Elbasan Arena”.
Tigrat verdheblu kaluan në avantazh që në minutën e 22’ me golin e Blaise. Në të 39’, Lajthia dyfishoi shifrat për Elbasanin, duke i çuar verdheblutë në pushim me epërsi 2-0.
Shkodranët e Edi Martinit arritën të rikthejnë emocionet në minutën e 73’ me golin e Qatos, por gëzimi i tyre zgjati vetëm katër minuta. Në të 77’, Lajthia shënoi golin e tretë për Elbasanin (dhe të dytin personal), duke vulosur fitoren definitive 3-1.
Me këtë sukses, Elbasani arrin kuotën e 62 pikëve dhe parakalon Vllazninë në renditje, duke u ngjitur dy pikë përpara kuqebluve. Flamurtari i jep goditje të rëndë Dinamos – 3-1 në Vlorë.
Në ndeshjen tjetër të javës së 33-të, Flamurtari i Vlorës, ekipi i fundit në renditje, ka mundur Dinamon me rezultatin 3-1. Dinamovitët kaluan në avantazh që herët, në minutën e 7’ me golin e Komanit. Barazimi erdhi shpejt, në të 18’, me golin e Maksutit. Talenti 21-vjeçar Maksuti u bë protagonisti absolut i ndeshjes, duke shënuar edhe dy herë në pjesën e dytë minutat 55’ dhe 73’, duke i dhënë kështu një fitore shumë të rëndësishme Flamurtarit në luftën për mbijetesë.
Pas kësaj fitoreje, Flamurtari arrin 32 pikë, ndërsa Dinamo mbetet në ankth për vendin në “Final 4”, që do t’i siguronte pjesëmarrjen në kupat e Europës sezonin e ardhshëm.

Lini një Përgjigje