Sport15 Qershor 2024, 07:30

Ethet e “Euro 2024” fillojnë sot kundër Italisë, shifra e majme sa pritet të përfitojë Kombëtarja nga UEFA

Shkruar nga Pamfleti

Ethet e “Euro 2024” fillojnë sot kundër Italisë,

Kombëtarja Shqiptare do të përballet me atë italiane në një ndeshje që pritet të sjellë emocione të forta.

Pavarësisht rezultatit dhe ecurisë që do të ketë në Grup, djemtë e Shqipërisë e kanë bërë tashmë historinë, duke u kualifikuar për herë të dytë, pas atij në Francë në vitin 2016.

Përveçse një rezultat i rëndësishëm nga pikëpamja sportive, një garë futbollistike madhore, siç është Kampionati Europian shoqërohet edhe me përfitime të rëndësishme të natyrës ekonomike.

Këtu përfshihen përfitimet direkte për Federatën Shqiptare të Futbollit, bonuset e mundshme për lojtarët, por edhe të ardhura shtesë për disa sektorë të veçantë të ekonomisë, të lidhur me zhvillimin e këtij evenimenti.

Të ardhurat që pritet të sigurojë Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) nga pjesëmarrja në këtë kompeticion janë të konsiderueshme për një vend si Shqipëria.

Sipas informacionit nga Federata Europiane e Futbollit (UEFA), pagesa fikse e pjesëmarrjes për secilën nga federatat pjesëmarrëse në Euro 2024 do të jetë 9.25 milionë euro.

Me kualifikimin për në Europian, kjo shumë është një e
ardhur e siguruar tashmë për FSHF.

Të ardhurat e tjera do të jenë në varësi të rezultateve sportive që do të sigurojë Kombëtarja.

Për çdo ndeshje të fituar në fazën e grupeve, ekipet do të përfitojnë 1 milion euro, ndërsa për çdo barazim do të marrin nga 500 mijë euro.

Në këtë mënyrë, e ardhura shtesë mund të arrijë deri në 3 milionë euro, në rast se Kombëtarja do të arrinte t’i fitonte të gjitha ndeshjet.

Kjo do ta çonte të ardhurën maksimale të mundshme nga faza e parë, në grupe, në 12.25 milionë euro.

Më tej, kualifikimi për fazën e ardhshme, atë të të gjashtëmbëdhjetave, do të shoqërohej me një bonus shtesë prej 1.5 milionë eurosh.

Pra, në rast se Kombëtarja kalon fazën e grupeve, FSHF do të përfitonte 10.75 milionë euro, plus të ardhurat nga fitoret ose barazimet e mundshme.

Në rastin më të mirë, pra, të arritjes së tre fitoreve, e ardhura nga faza në grupe do të arrinte në 13.75 milionë euro.

Duke pasur parasysh se në fazën e një të tetave do të kualifikohen 16 ekipe nga 24 pjesëmarrëse (dy vendet e para në çdo grup dhe katër vendet e treta më të mira) të paktën nga pikëpamja statistikore shanset për të vazhduar më tej janë të konsiderueshme.

Në rast se Kombëtarja do të arrinte të kualifikohej më tej për në çerekfinale, bonusi nga UEFA për këtë fazë do të ketë vlerën e 2.5 milionë eurove.

Kjo do ta çonte përfitimin total për FSHF në të paktën 13.25 milionë euro (pa përfshirë të ardhurat nga rezultatet në fazën e grupeve).

Në rast të arritjes në gjysmëfinale, bonusi i parashikuar nga UEFA ka vlerën e 4 milionë eurove. Kjo do ta çonte të ardhurën totale nga Europiani në të paktën 17.25 milionë euro, plus shtesat e mundshme nga rezultatet e arritura në fazën e grupeve.

Skuadra që do të fitojë Kampionatin Europian do të përfitojë një shpërblim prej 8 milionë eurosh, që e çon të ardhurën totale për ekipin fitues në të paktën 25.25 milionë euro, plus të ardhurat nga rezultatet në grupe (e ardhura maksimale do të arrinte në 28.25 milionë euro)

Ekipi që do të renditet i dyti do të marrë një shpërblim prej 5 milionë eurosh, që do ta çonte të ardhurën minimale nga arritja në finale në shumën e 22.25 milionë eurove (e ardhura maksimale llogaritet në 25.25 milionë euro).

Në fakt, të ardhurat maksimale të disponueshme do të jenë më të ulëta krahasuar me Euro 2020, kur ekipi fitues mund të përfitonte deri në 34 milionë euro. Në Euro 2024, shpërblimet e lidhura me rezultatet në secilën fazë do të jenë më të ulëta.

Natyrisht që Shqipëria nuk renditet mes ekipeve favorite për të shkuar deri në fazat e fundit të Kampionatit Europian, por, në rast se Kombëtarja do të befasojë me rezultatet e saj, të ardhurat do të ishin të mëdha dhe mund të përbënin një bazë për të rritur investimet në zhvillimin e futbollit në vend.

Kampionati Europian i Futbollit i vitit 2024 do të zhvillohet nga datat 14 qershor deri më 14 korrik në Gjermani.

Sipas shortit të hedhur më datë 2 dhjetor, Shqipëria bën pjesë në grupin B, së bashku me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë./ Monitor

kombëtarja kuqezi fitimet në euro 2024