Sport14 Qershor 2024, 22:56

Gjermania e nis me këmbën e mbarë Europianin, “Pancerat” mposhtin Skocinë me ‘manita’ dhe i dërgojnë mesazh pretendentëve (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Gjermania e nis me këmbën e mbarë Europianin,

Gjermania e nis me këmbën e mbarë Kampionatin Europianin. “Pancerat” kanë mposhtur me ‘manita’ 5-1 Skocinë dhe i kanë dhënë një mesazh të qartë pretendentëve kryesorë për fitimin e trofeut.

Skuadra e drejtuar nga Nagelsman zhbllokoi sfidën në minutën e 10. Florian Virc lëshoi një “predhë” rrafsh me tokën duke e bërë të pamundur për portierin Gun që ta ndalonte topin.


Vendasve i mjaftuan 9 minuta për të dyfishuar shifrat, duke dhuruar spektakël për tifozët e pranishëm dhe miliona gjermanë anë e mbanë botës.


Një aksion perfekt i “Die Manschaft” u finalizua më së miri nga “fantazisti” i Bajernit të Mynihut, Jamal Musiala, i cili pasi mori një pasim nga Haverc brenda zonës tundi rrejtën kundërshtare.


Organizatorët e “EURO 2024” trefishuan shifrat në minutën e 45+1. Kësaj here në rrjetë përfundoi një goditje perfekte nga ylli i sulmit, Kai Haverc, i cili ekzekutoi në mënyrë perfekte një 11-metërsh të fituar, nga Ilkai Gyndogan, për të kapitulluar totalisht kundërshtarët skocezë.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, skocezët mbetën me 10 lojtarë, pasi Rajan Portevous u ndëshkua me kartonin e kuq.

Në minutën e 68, Gjermania kompletoi “pokerin”. Këtë herë ishte i sapofuturi në lojë, Fylkryg, i cili me një goditje potente në hyrje të zonës tund rrjetën e skocezëve.


Në minutën e 87, skocezët shënuan golin e nderit, Rydiger realizoi një autogol.


Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej këtu, gjermanët kompletuan manitën në minutën e 90+3′. Xhan i “vendosi kapakun” goleadës.


Ndeshjen e dytë, Gjermania do ta luajë përballë Hungarisë në orën 18:00, ndërsa Skocia do të ndeshet me Zvicrën e Xhakës dhe Shaqirit në orën 21:00. Të dyja këto takime do të luhen në datën 19 qershor.

gjermania skocia