
Ilir Daja mendon se Dinamo është gati të përballet pa frikë me Hajdukun e Splitit, ndonëse kundërshtari ka statusin e favoritit në duelin e nesërm mes dy skuadrave. Tekniku i bluve foli para mediave, duke komentuar edhe deklaratën e Ervin Bulkut, apo si po përgatitet skuadra e tij përballë mungesës së Itodo të larguar.
“Ne e dimë që nesër kemi një ndeshje me koeficient të lartë vështirësie, për shkak të traditës së Hajdukut jo vetëm në futbollin vendës, por edhe për eksperiencën në kompeticionet europiane. E dyta sa i përket vështirësisë, është se kanë një mbështetje nga një publik që i mbështet gjatë gjithë ndeshjes, por ndonjëherë vështirësitë të bëjnë më të fortë dhe do të mundohemi të tregojmë vlerat më të mira përtej tyre. Por sigurisht si favoritë, duke listuar këto gjëra, është Hajduku.
Kohët ndryshojnë, siç ndryshojnë ekipet, nga eksperienca ime personale në Kroaci, kundër Dinamos së Zagrebit, kam një bilanc me një fitore, një humbje dhe dy barazime. Por siç ndryshojnë kohërat në të cilat janë zhvilluar përballjet, ashtu ndryshojnë edhe ekipet, sidomos në periudhën e verës që është periudhë merkatoje. Por gjithmonë në përballjet që kemi pasur, të paktën unë si trajner, gjithmonë kanë qenë të bukura se Kroacia zhvillon futboll shumë të bukur. Po ashtu edhe Hajduku që është një nga ekipet me më shumë histori në Kroaci. Ne kemi analizuar Hajdukun, duhet të jemi të përqendruar që përveç aspektit taktik si grup, duhet të jemi të përqendruar edhe për faktin se Hajduku në përbërje ka lojtarë cilësorë që nëse e humbet përqendrimin, mund të të dëmtojnë nga momenti në moment.
Polemikat rreth Ervin Bulkut? Kroacia dhe Shqipëria kanë raporte të mira miqësore, si në fusha të tjera, edhe në sport. Unë kam folur personalisht edhe me Bulkun, sepse e kam drejtuar si futbollist në një nga ekipet në Shqipëri. Dhe jam i mendimit personal se çdo njeri mund të ketë sodisfaksion apo mbështetje për ekipet ku ka luajtur. Dhe mendoj që më e rëndësishme është përballja jonë nesër kundrejt një ekipi të fortë si Hajduku se interpretimi i çfarë tha apo nuk tha sportisti im apo Ervin Bulku.
Shitja e Itodo? Natyrshëm që politika e klubit tonë është të promovojmë lojtarët dhe t’i çojmë në kampionate më të forta. Dhe kjo quhet një farë arritje e klubit. Por çdo trajner do ta ndjejë boshllëkun kur largohet një golashënues. Duhet të mësohemi me këto gjëra, sepse edhe Hajduku që ka një tjetër potencial financiar, bën dalje dhe lëvizje në merkato në këtë periudhë. Me largimin e Itodos edhe ne duhet të ndryshojmë pak manovrën tonë për të plotësuar sa të jetë e mundur për një kohë të shkurtër, largimin e këtij futbollisti cilësor nga ekipi jonë.
Lojtari më i mirë i Hajdukut? Do i shmangem përgjigjes së kësaj pyetje, sepse nëse e cilësoj një emër, që sigurisht e ka brenda Hajduku, do të motivoj 9 të tjerët se do thonë të merret me një individ trajneri kundërshtar.
Unë mendoj se do të kemi vështirësi në të dy fazat e lojës, sepse e tregova kush është Hajduku për ne. Kjo do të thotë që ne duhet të kemi shumë kujdes edhe për faktin se ka lojtarë të shpejtë dhe mund të na dëmtojnë në sulmin e shpejtë apo kundërsulmin. Por mendoj që në linja të përgjithshme duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe në bllok nesër për të shmangur edhe cilësitë individuale që kanë lojtarët e Hajdukut.
I kënaqur me 0-0? Sigurisht që një rezultat në barazim do të ishte një rezultat pozitiv për ne, sepse besoj që do na jepte moral që në ndeshjen e kthimit të prezantohemi edhe më mirë në vendin tonë.
Nuk është se ia dhashë unë statusin e favoritit Hajdukut, e ka vetë historia e kundërshtarit, edhe pse ne jemi klub me histori në vendin tonë. Por në prezantimin në Europë, Hajduku është me 200 e ca ndeshje në të gjithë kompeticionet në historinë e tij. Dhe ne kemi disa vite që nuk luajmë në Europë. Kjo do të thotë që mungesa e kësaj eksperience, duhet të zëvendësohet. Me një motivim jo, sepse e dimë që nesër lojtarët do të jenë të motivuar nga ekipi kundërshtar dhe ambienti. Por të shmangim pjesën e moseksperiencës, duhet të japim më shumë se maksimumi ynë gjatë këtyre 90 minutave.
Ta respektosh kundërshtarin nuk do të thotë që të frikësohesh, se në fund të fundit futboll do të luajmë. Por duhet t’i themi gjërat siç janë dhe jo për t’u futur të dorëzuar, por për të shtuar ne dozën e përqendrimit, në mënyrë që të përballojmë furinë e Hajdukut nesër në stadiumin e tyre”, tha Daja para mediave.
Lini një Përgjigje