TAGS-AT E JAVËS

Sport30 Janar 2026, 20:07

FSHF kërkon shtimin e ngjyrave kuq e zi në stadiumin polak, negociata për 6 mijë bileta në sfidën e "play of"

Shkruar nga Pamfleti

FSHF kërkon shtimin e ngjyrave kuq e zi në stadiumin polak, negociata

Interesimi i jashtëzakonshëm i tifozëve shqiptarë për ndeshjen 'play-off' të Kupës së Botës 2026 në Varshavë ka shtyrë Federatën Shqiptare të Futbollit të nisë negociatat me homologët polakë, me synimin për të siguruar më shumë bileta sesa kuota prej 5% që parashikon rregullorja e UEFA-s për ekipet mike.

Sipas rregullave, kombëtarja shqiptare ka të drejtë për rreth 3 mijë bileta në stadiumin “Narodowy”, por mediat thonë se FSHF ka marrë sinjale pozitive nga pala polake për të rritur këtë numër deri në 4 mijë e 500 tifozë për ndeshjen e 26 marsit, e cila do të jetë vendimtare për kualifikimin në Kupën e Botës 2026.

Federata Shqiptare e Futbollit kërkon që numri i biletave të shkojë deri në rreth 6 mijë, megjithatë ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga autoritetet polake. Çështja e sigurisë mbetet një nga pikat kryesore të diskutimit, pasi transferta konsiderohet delikate edhe për faktin se tifozët vendas njihen për problematika të mëparshme.

Shqipëria ka siguruar për herë të parë kualifikimin në fazën 'play-off' të Kupës së Botës 2026 dhe shorti e ka vënë përballë Polonisë në transfertë, ndeshje e cila do luhet në Varshavë më 26 mars. Në rast suksesi, kuqezinjtë do të përballen me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi, për një vend në finalet e Kupës së Botës 2026, që do zhvillohen në SHBA, Meksikë dhe Kanada nga 11 qershori deri më 19 korrik.

federata shqiptare e futbollit biletat për tifozët

Lini një Përgjigje