
Anis Mehmeti po jeton një sezon të jashtëzakonshëm me Bristol Sitin, teksa mesfushori 24-vjeçar u bë lojtari i parë në një dekadë që jep tre asistime në një ndeshje të vetme për klubin anglez.
Ai ishte protagonist absolut në fitoren 3-0 ndaj Suonsi fundjavën e kaluar, duke konfirmuar formën e tij mbresëlënëse në Championship, ku ka realizuar edhe pesë gola deri tani.
Në një intervistë për “Sky Sports”, lojtari me tipare të theksuara sulmuese tregoi se kush janë idhujt që e kanë frymëzuar gjatë rrugëtimit të tij.
“Eden Hazard, Nejmar dhe Filip Kutinjo kanë qenë të preferuarit e mi kur isha fëmijë. Nuk është se u ngjaj, por më pëlqente t’i shihja. Futbolli është argëtim, ata argëtonin tifozët dhe fitonin ndeshje, dhe unë dua të bëj të njëjtën gjë. Dua të fitoj dhe të tregoj se jam i aftë ta bëj,” u shpreh ai.
Mehmeti rrëfen se pasioni për futbollin është pjesë e pandashme e jetës së tij: “Shikoj shumë futboll, sidomos Premier Ligën. Shokët e skuadrës më tallin për këtë, por gjithmonë kam qenë i tillë. Futbolli më ka dhënë shumë dhe e dua.”
Mesfushori i talentuar ka veshur tre herë fanelën e Kombëtares Shqiptare në kualifikueset e “EURO 2024” dhe mbetet një prej emrave më premtues të futbollit kuqezi në arenën ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje