
Një spanjoll dhe një emër i njohur i La Ligës kryesojnë listën e shpenzimeve në merkaton e futbollit. Në këtë renditje nuk figurojnë trajnerë si Ançeloti apo Klop, por nuk mungojnë disa nga më të njohurit e pankinës.
Guardiola, mbreti i shpenzimeve
Pep Guardiola ka hyrë në historinë e merkatos në vitin 2025 si trajneri i parë që kalon shifrën 2 miliardë euro të investuara në blerje lojtarësh gjatë karrierës. Trajneri i Mançester Sitit ka 17 sezone në elitë, ku numëron 3 tituj të Champions League dhe një duzinë kampionatesh kombëtare të fituar.
Karrierën si trajner e nisi te Barcelona, ku blerja më e kushtueshme ishte ajo e Zlatan Ibrahimoviç në vitin 2009 për 70 milionë euro, plus Samuel Eto’o. Në aventurën e tij te Bajerni i Mynihut, shpenzimet ishin më të moderuara, me rekordin prej 40 milionësh për Arturo Vidal dhe Mario Gëtce.
Gjërat ndryshuan te Mançester Siti, ku që nga sezoni 2016-2017 janë investuar mbi 1.2 miliardë euro për skuadrën e tij. Transferimi më i shtrenjtë? Xhek Grilish për 117 milionë euro nga Aston Vila në sezonin 2021-2022. Guardiola është gjithashtu i njohur për investime marramendëse në mbrojtës: Stons, Laporte, Ake, Ruben Dias, Zhoao Kanselo, Benxhamin Mendi dhe Kajl Uoker kanë kushtuar së bashku mbi 400 milionë euro.
Simeone, 700 milionë më pak
Pas Guardiolës vjen Diego Pablo Simeone me 1.31 miliradë euro të shpenzuara tek Atletiko e Madridit që nga viti 2011. Argjentinasi ka pasur gjithmonë një buxhet të qendrueshëm, madje sezonin e kaluar ishte trajneri që shpenzoi më shumë në Spanjë (gati 250 milionë euro). Blerja më e shtrenjtë? Zhoao Feliks për 127 milionë, një investim që nuk dha rezultatet e pritura.
Tri surpriza të tjera; Alegri, Tuhel dhe Konte
I treti në listë është Masimiliano Allegri me 1.2 miliardë euro të shpenzuara, kryesisht te Juventusi dhe Milani. Transferimi i tij më i shtrenjtë ishte Kristiano Ronaldo në vitin 2018 për 117 milionë euro (në total), por pa arritur dot kurrë të fitonte Champions League.
Në vendin e katërt është Tomas Tuhel me 1.19 miliardë euro. Gjermani ka drejtuar Bajernin, Çelsin, PSG-në dhe Borusian e Dortmundit, duke fituar një Champions League me Blutë e Londrës. Blerja më e madhe e tij ishte Kilian Mbape për 180 milionë euro te PSG, në vitin 2018.
Lista mbyllet me Antonio Konten, kampion aktual i Serisë A me Napolin, me 1.16 miliardë euro të investuara gjatë karrierës. Juventusi, Çelsi, Interi dhe Totenhemi ia kanë besuar suksesin e tyre, teksa trajneri italian në fjalë ka fituar 6 kampionate. Lojtari më i shtrenjtë që ka marrë është Alvaro Morata për 80 milionë euro te Çelsi.
Lini një Përgjigje