Marselo Bielsa ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit të Kombëtares së Uruguait, menjëherë pas eliminimit të ekipit në fazën e grupeve të Botërorit 2026.
Në konferencën e lamtumirës, tekniku argjentinas nuk i kurseu kritikat ndaj futbollistëve, duke iu përgjigjur raportimeve të mediave uruguaiane sipas të cilave lojtarët ishin ankuar se analizat taktike me video ishin tepër të gjata dhe të mërzitshme.
Bielsa mohoi këto pretendime dhe tha se kishte reduktuar në maksimum kohëzgjatjen e analizave për t'iu përshtatur kërkesave të skuadrës.
"Është e turpshme që profesionistë, të cilët fitojnë miliona, janë të paaftë të qëndrojnë të përqendruar për më shumë se 10 minuta. Bisedat që kam zhvilluar me ekipin dhe videot nuk kanë zgjatur kurrë më shumë se 10 minuta. Kjo ndodhi pasi më thanë se duhej të ishin edhe më të shkurtra dhe të ndara në ditë të ndryshme, për të mos mbingarkuar përqendrimin e lojtarëve.
Kam biseduar me ta për këtë çështje dhe më thanë se kishin një mbingarkesë informacioni. Prandaj e reduktova gjithçka. Megjithatë, para ndeshjes me Spanjën më thanë sërish se ndiheshin të mbingarkuar me informacione.
Përse thashë se nuk i kam lënë asgjë Uruguait? Sepse kam bindjen se askush nuk i ka kushtuar rëndësi asaj që kam thënë gjatë këtyre tre viteve. Nuk ka problem, është në rregull edhe kështu", deklaroi Bielsa.
Largimi i Bielsës vjen pas një periudhe trevjeçare në drejtimin e Uruguait, e cila u mbyll me zhgënjimin e eliminimit të hershëm nga Botërori 2026 dhe me polemika të hapura mes trajnerit dhe futbollistëve të kombëtares.
Lini një Përgjigje