
Hofenheimi është rikthyer te fitorja në Bundesligë, duke triumfuar 4-2 në transfertë ndaj Heidenheimit në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të të kampionatit gjerman.
Në këtë përballje, trajneri i Hofenheimit i besoi sërish nga minuta e parë tre futbollistëve kosovarë: Hajdarit, Avdullahut dhe Fisnik Asllanit. Ky i fundit ishte një nga protagonistët kryesorë të takimit, duke kontribuar me një asist dhe një gol.
Skuadra mike e mbylli pjesën e parë me epërsi të dyfishtë falë Aleksandër Pras, i cili realizoi dy herë. Goli i parë erdhi pas asistit të Fisnik Asllanit, ndërsa i dyti pas pasimit të Andrej Kramariç, duke i dhënë Hofenheimit një avantazh të qartë që në 45 minutat e para.
Edhe pjesa e dytë nisi në favor të miqve. Fisnik Asllani shënoi golin e tretë për Hofenheimin pasi ndoqi aksionin deri në fund. Pas një pritjeje të portierit të Heidenheimit, Diant Ramaj, në tentativën e parë, sulmuesi kosovar reagoi shpejt dhe në përpjekjen e dytë e dërgoi topin në rrjetë.
Goli i katërt për Hofenheimin u realizua nga Tim Lemperle, i cili sapo ishte futur në fushë si zëvendësues.
Për Heidenheimin shënoi dy herë Luka Kerber, duke ngushtuar diferencën, por pa arritur të ndryshonte fatin e ndeshjes.
Pas kësaj fitoreje, Hofenheimi mban vendin e tretë në renditje me 49 pikë, duke qenë në një pozicion të favorshëm për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Në ndeshjet e tjera të javës në Bundesligë, Bajer Leverkusen barazoi 3-3 në transfertë ndaj Frajjburgut. Lajpcigu fitoi në minutat e fundit 2-1 ndaj Augsburgut, ndërsa Mainci dhe Shtutgarti u ndanë në barazim 2-2. Hamburgu mori një fitore në transfertë, duke mposhtur Volfsburgun me rezultatin 2-1.
Lini një Përgjigje