
Vedat Muriqi vazhdon formën e tij shumë të mirë në La Liga, duke qenë protagonist për Majorkën në transfertën ndaj Osasunës. Sulmuesi kosovar realizoi dy gola, por skuadra e tij nuk arriti të ruajë avantazhin, pasi sfida e vlefshme për javën e 27-të përfundoi në barazim 2-2.
Majorka kaloi në avantazh në minutën e 35-të, pas një gabimi të rëndë të portierit vendas, i cili nuk u kuptua me mbrojtësin e tij dhe i dha mundësi miqve të shënonin. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1 në favor të Majorkës.
Në minutën e 60-të, Vedat Muriqi tregoi sërish vlerat e tij në sulm, duke dyfishuar shifrat pas një asisti nga Serxhi Darder dhe duke i dhënë skuadrës së tij një epërsi të sigurt.
Situata në fushë ndryshoi në minutën e 73-të, kur Majorka mbeti me një lojtar më pak. Jan Virxhili, i futur në lojë vetëm 10 minuta më parë, u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj kundërshtarit.
Në minutën e 82-të, edhe Osasuna mbeti me 10 futbollistë, pasi Raul Garsia u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje me takë ndaj një lojtari të Majorkës.
Megjithatë, kur dukej se Majorka po shkonte drejt fitores, vendasit reaguan në fundin e takimit. Kike Barja shkurtoi diferencën në minutën e 89-të, ndërsa në minutën e katërt shtesë veterani Ante Budimir barazoi shifrat në 2-2.
Pas këtij rezultati, Majorka mbetet në vendin e 18-të në renditjen e La Ligës me 25 pikë, duke vijuar të jetë në rrezik serioz për rënien nga kategoria. Ndërkohë, Osasuna pozicionohet në vendin e 10-të të klasifikimit.
Lini një Përgjigje