
Arsenali ka siguruar kualifikimin në çerekfinalet e Kupës FA, duke mbajtur gjallë objektivin për të fituar trofe në disa fronte këtë sezon. Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta triumfoi me rezultatin 2-1 në transfertë ndaj Mansfild, në një ndeshje që rezultoi më e vështirë nga sa pritej për londinezët.
Përballë një kundërshtari që militon në Ligën Një në Angli, Arsenali hasi vështirësi për të gjetur rrugën e rrjetës gjatë pjesës së parë. Goli i avantazhit erdhi vetëm në minutat e fundit të kësaj pjese, kur Madueke realizoi për 1-0.
Mansfild reagoi menjëherë pas rifillimit të lojës, duke barazuar shifrat me Evans dhe duke rihapur takimin. Megjithatë, Arsenali riktheu epërsinë në minutën e 66-të falë golit të Eze. Në minutat e mbetura, londinezët administruan rezultatin dhe siguruan fitoren që i çon në fazën tjetër të turneut.
Me këtë sukses, Arsenali vijon të mbetet në garë për Kupën FA. Skuadra londineze kryeson gjithashtu kampionatin anglez, ka arritur në finalen e Kupës së Ligës dhe synon të jetë një nga protagonistët edhe në Ligën e Kampioneve.
Lini një Përgjigje