Mesfushori shqiptar Leon Avdullahu ka zgjatur bashkëpunimin me Hofenhejmin, duke firmosur një kontratë të re që e mban të lidhur me klubin gjerman deri në vitin 2031.
Lajmi është konfirmuar edhe nga drejtori sportiv i skuadtës, Andreas Shiker, i cili ka vlerësuar kontributin dhe potencialin e lojtarit shqiptar. Sipas tij, Avdullahu përfaqëson një model të suksesshëm të zhvillimit të lojtarëve të rinj brenda klubit.
“Leoni është një shembull kryesor se si mund të duket zhvillimi i një lojtari të ri këtu te Hofenhejmi. Jam shumë i lumtur që ai dëshiron të vazhdojë këtë rrugë të suksesshme me ne dhe që skuadra mban një nga figurat e saj kryesore”, është shprehur Shiker.
Ai ka theksuar gjithashtu cilësitë teknike dhe taktike të mesfushorit, duke nënvizuar aftësinë e tij për të lexuar lojën dhe për të ndikuar në stilin e ekipit.
“Leoni mund ta lexojë një ndeshje, ai është një strateg dhe vizioni i tij është me rëndësi të madhe për stilin tonë të lojës”, ka shtuar drejtori sportiv.
Rinovimi i kontratës shihet si një hap i rëndësishëm si për klubin, ashtu edhe për vetë lojtarin, i cili pritet të ketë një rol kyç në projektin afatgjatë të Hofenhejmit.
Lini një Përgjigje