Dani Alvesh, që prej datës 20 janar të këtij viti ndodhet në burgun Brians 2 të Barcelonës, i akuzuar se ka përdhunuar një vajzë. Ai do të vijojë të qendrojë edhe për pak kohë pas hekurave.
Braziliani kishte bërë kërkesë për liri me kusht, por Gjykata Supreme e Katalonjës ka refuzuar kërkesën e 40-vjeçarit, pavarësisht se ai ka garanci financiare dhe nuk është dënuar më parë.
“Gjykata e distriktit të 15 të Barcelonës ka refuzuar kërkesën për lirimin me kusht nga ana e palës mbrojtëse”, thuhet në një komunikatë të gjykatës spanjolle. Hetimi për këtë çështje vijon ende, me mbrojtësin legjendar që shprehet se është i pafajshëm.
"Rreziku i arratisjes është i paimagjinueshëm"
Alvesh këtë herë kishte siguruar video-prova të reja, që lejonin krahasimin e dy versioneve, pasi i ishte refuzuar kërkesa e parë për lirim në pritje të gjyqit. Gjykata kishte theksuar "rrezikun e lartë të arratisjes" së Dani Alvesh "të lidhur me dënimin e lartë që mund t'i shqiptohet në këtë rast", "indikacionet e rënda" që e inkriminonin atë dhe "mjetet e tij të mëdha financiare që mund ta lejonin të largohej nga Spanja në çdo kohë”.
Avokatët e brazilianit besojnë nga ana e tyre se “rreziku i arratisjes është i paimagjinueshëm” dhe propozuan mundësinë e depozitimit si dhe tërheqjen e dy pasaportave të tij (spanjolle dhe braziliane) për të qetësuar gjyqtarin. Por magjistrati të martën e refuzoi kërkesën për lirim, si dhe të gjitha masat e ndërmjetme (depozitë, tërheqje pasaporte, byzylyk elektronik) për të mbajtur lojtarin në burg.
Dani Alvesh, në atë kohë nën kontratë me klubin meksikan Pumas, akuzohet nga një e re se e kishte përdhunuar në fund të dhjetorit në tualetet e një klubi nate në Barcelonë. Ai është i burgosur që nga 20 janari në kompleksin e burgut Brians, që ndodhet rreth dyzetë kilometra nga Barcelona.
Lini një Përgjigje