TAGS-AT E JAVËS

Sport17 Maj 2025, 15:49

I shënoi golin e famshëm Anglisë, ndahet nga jeta ish-sulmuesi i njohur afrikan

Shkruar nga Pamfleti

I shënoi golin e famshëm Anglisë, ndahet nga jeta ish-sulmuesi i

Ish-futbollisti i njohur kamerunas Emanuel Kunde ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga Federata Kamerunase e Futbollit, e cila e cilësoi ndarjen e tij nga jeta si “një humbje e madhe për futbollin kamerunas”.

Kunde mbetet në kujtesën e tifozëve anembanë botës për golin e shënuar ndaj Anglisë në çerekfinalen e Kupës së Botës 1990 në Itali, një ndeshje që përfundoi 3-2 në favor të anglezëve pas kohës shtesë.

Ndër momentet më të lavdishme të karrierës së tij është edhe goli vendimtar në finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës në vitin 1988 ndaj Nigerisë, duke i dhënë Kamerunit trofeun kontinental. Ai kishte fituar të njëjtin trofe edhe në vitin 1984 dhe ishte pjesë e skuadrës që mposhti sërish Nigerinë në finalen e atij edicioni.

Në një reagim prekës në Instagram, ish-sulmuesi i Çelsit dhe Interit e përshkroi Kunden si “një figurë ikonike të trashëgimisë sonë futbollistike”. Ai shtoi: “Ishte një futbollist fantastik, kulla komanduese në mesfushë dhe muri mbrojtës ku përplaseshin kundërshtarët. Ishte gjithashtu një pasues brilant dhe organizator loje me një forcë fenomenale dhe saktësi të jashtëzakonshme.”

Kunde ishte pjesë e “Luanëve të Pamposhtur” për 15 vite, duke grumbulluar 102 ndeshje dhe shënuar 17 gola me fanelën e përfaqësueses nga viti 1979 deri më 1992. Ai mori pjesë në dy nga epopetë më të mëdha të Kamerunit në Botërorët e viteve 1982 dhe 1990.

Karrierën e tij e nisi te klubi Mbankomo në Kamerun, më pas luajti për Tempete de Nanga-Eboko dhe Kanon Jaunde, përpara se të transferohej në Francë ku u aktivizua me Laval dhe Reims. Pas përfundimit të aventurës në Evropë, u rikthye në Kamerun ku mbylli karrierën si futbollist me skuadrën Olimpik Mvolie në vitin 1992.

Pas tërheqjes nga futbolli, Kunde vazhdoi të kontribuonte si trajner, përfshirë periudha në Francë dhe Gabon, ndërsa emri i tij do të mbetet gjithmonë i lidhur me klubin e famshëm Kenon Sportif de Jaunde si lojtar dhe trajner.

Futbolli afrikan dhe veçanërish Kameruni humbi një nga figurat e tij më përfaqësuese. Mendimet dhe lutjet e komunitetit sportiv janë me familjen e tij.

emanuel kunde ish-futbollisti i kamerunit

Lini një Përgjigje