
Nesër do të ketë një mbledhje, që pritet të vendosë për përjashtimin e klubeve të Izraelit nga të gjitha kompeticionet europiane. Këtu përfshihen Champions, Liga e Europës dhe ajo e Konferencës.
Në këtë edicion, vetëm Makabi Tel Aviv është kualifikuar në fazën e grupeve, pikërisht të Ligës së Europës. Dhe nga rregulli i UEFA-s asnjë prej kundërshtarëve nuk do përfitojë pikë duke ndikuar te i gjithë kompeticioni.
Rivalët e Makabit janë PAOK, Dinamo Zagreb ku luan Arbër Hoxha, Midtjilland, Aston Vila, Lyon, Shtutgart, Freiburg dhe Bolonja. Aktualisht nuk është luajtur asnjë takim dhe asnjë pikë nuk do përfitohej nga skuadrat e përmendura.
Rregulli i UEFA-s:
“Nëse një klub skualifikohet ose për çfarëdo arsye tërhiqet nga gara përpara se të ketë përfunduar të gjitha ndeshjet e tij në fazën e ligës, rezultatet e të gjitha ndeshjeve të zhvilluara deri në atë moment mbeten të vlefshme. Një përllogaritje e pikëve do të duhet të bëhet pas përfundimit të fazës së ligës për të marrë parasysh ndeshjet e anuluara.
Pikët e fazës së ligës nga të gjitha ndeshjet e zhvilluara, përfshirë edhe pikët e fituara nga klubet në ndeshjet kundër klubit të skualifikuar/tërhequr përpara skualifikimit/tërheqjes së tij, nuk rregullohen në asnjë mënyrë dhe merren të gjitha në konsideratë për përllogaritjen e pikëve mesatare”, shkruhet në rregullin e UEFA-s.
Lini një Përgjigje