Juventus ka marrë një fitore të rëndësishme në Serie A, duke mposhtur Bolognan me rezultatin 2-0 në sfidën e zhvilluar këtë fundjavë.
Ndeshja nisi në mënyrë ideale për bardhezinjtë, të cilët kaluan në avantazh që në minutat e para. Jonathan David realizoi golin e parë në më pak se dy minuta lojë, pas një asistimi nga Kalulu, duke vendosur menjëherë ritmin e takimit.
Pas golit të shpejtë, Juventusi vijoi të krijojë raste me Conceiçao dhe sërish me David, ndërsa Bologna iu afrua barazimit me Holm, i cili goditi traversën.
Në pjesën e dytë, skuadra torineze arriti të dyfishojë rezultatin. Kephren Thuram shënoi golin e dytë, duke i dhënë më shumë qetësi ekipit dhe duke vulosur praktikisht fatin e ndeshjes.
Në minutat e mbetura nuk pati ndryshime në rezultat, me Juventusin që administroi avantazhin dhe siguroi tre pikë të rëndësishme.
Me këtë fitore, Juventusi përforcon pozitat në vendin e katërt në renditje, duke u shkëputur me 5 pikë nga Como, ndërsa Bologna mbetet me 48 pikë.
Lini një Përgjigje