Botërori 2026 po karakterizohet nga një element që po tërheq vëmendjen e tifozëve dhe analistëve të futbollit: numri i lartë i kartonëve të kuq të akorduar nga arbitrat që në fazën e parë të turneut.
Deri tani janë zhvilluar 28 ndeshje, gjatë të cilave janë dhënë 6 kartonë të kuq. Ky bilanc e tejkalon numrin total të kartonëve të kuq të regjistruar në dy edicionet e mëparshme të Kupës së Botës. Në Katar 2022 dhe në Rusi 2018 u dhanë nga 4 kartonë të kuq përgjatë të gjithë turneut, që përfshinte nga 64 ndeshje secili.
Botërori i organizuar në Amerikën e Veriut ka regjistruar gjithashtu edhe ndeshjen me numrin më të lartë të kartonëve të kuq deri në këtë fazë. Bëhet fjalë për sfidën hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, ku arbitri nxori tre kartonë të kuq. Të ndëshkuarit ishin meksikani Montes dhe futbollistët e Afrikës së Jugut, Sithole dhe Zuane.
Ndërkohë, me karton të kuq janë ndëshkuar edhe boshnjaku Muharemoviç, si dhe futbollistët e Katarit, Ahmed dhe Madibo.
Megjithatë, rekordi historik për numrin më të madh të kartonëve të kuq në një Kupë Bote vazhdon të mbahet nga Botërori i Gjermanisë në vitin 2006. Në atë edicion u regjistruan gjithsej 28 kartonë të kuq.
Një nga ndeshjet më të famshme dhe më të ashpra në historinë e turneut mbetet përballja e fazës së 1/8-ave mes Holandës dhe Portugalisë, e njohur si “Beteja e Nurembergut”. Në atë sfidë arbitri ndëshkoi lojtarët me 4 kartonë të kuq dhe plot 16 kartonë të verdhë, duke e bërë atë një nga ndeshjet më të tensionuara të Kupës së Botës.
Lini një Përgjigje