
Qielli mbi Castel Volturno nuk ka qenë kurrë kaq i zymtë dhe këtë herë, problemi shkon përtej fushës së lojës. Ajo që po trondit themelet e projektit të Napolit është përkeqësimi i marrëdhënies mes trajnerit Antonio Konte dhe presidentit Aurelio De Laurentis.
Ajo që në fillim u paraqit si një bashkëpunim i fortë për rikthimin e ekipit në majat e futbollit italian, tashmë rrezikon të përfundojë në një ndarje të parakohshme dhe të bujshme.
Sipas të përditshmes “Il Mattino”, përplasja ka nisur gjatë qendrimit të De Laurentis në Shtetet e Bashkuara. Deklaratat e presidentit, të bëra në kuadër të angazhimeve të tij në biznes dhe kinematografi, nuk janë pritur mirë nga Konte.
Në veçanti, trajneri është bezdisur nga referencat për të ardhmen e pankinës së Napolit dhe mundësinë e një kalimi të tij në drejtimin e Kombëtares italiane. De Laurentis është shprehur: “Antonio është serioz, nuk do të më braktiste kurrë në minutën e fundit”.
Këto fjalë interpretohen si një përpjekje për të qetësuar situatën, por njëkohësisht edhe si një sinjal pasigurie për një largim të mundshëm.
Raportohet se tensioni nuk është i njëanshëm. Edhe De Laurentis ka rezerva ndaj Kontes, veçanërisht për disa zgjedhje në menaxhimin teknik dhe për një qendrim të mbyllur të trajnerit ndaj dinamikave të brendshme të klubit.
Presidenti besohet se i ka dhënë trajnerit liri të plotë veprimi dhe një kontratë shumë të majme, por pritshmëritë nuk janë përmbushur në nivelin e marrëdhënies dhe perspektivës së përbashkët.
Mundësia e një ndarjeje në fund të sezonit konsiderohet reale. Konte njihet për qendrime të forta dhe mungesë kompromisi: nëse ndjen mungesë besimi apo ndërhyrje në kompetencat e tij, ai nuk heziton të largohet, siç ka ndodhur më parë me Juventusin dhe Interin.
Napoli ndërkohë po shqyrton skenarë alternativë. Në rast të një ndarjeje, emra si Vinçenco Italiano, Enzo MaresKa apo Xhan Piero Gasperini përmenden si kandidatë potencialë. Ndërkohë, rikthimi i Mauricio Sarrit është cilësuar nga vetë ky i fundit si “fantazi futbolli”.
Në orët në vijim pritet një komunikim mes palëve, ndoshta përmes një bisede telefonike, për të sqaruar situatën. Megjithatë, burimet sugjerojnë se marrëdhënia është ftohur ndjeshëm.
Siç ka deklaruar më parë De Laurentis, një skuadër është si një “familje”. Por kur “prindërit” nuk komunikojnë, pasojat bëhen të pashmangshme. Në Napoli, heshtja duket se po flet më fort se çdo deklaratë publike.
Lini një Përgjigje