
“Armando Broja shikon shansin e tij me mungesën e Nikolas Xhekson për Kupën e Afrikës dhe ka mundësinë që të tregojë vlerat dhe të konfirmojë veten te Çelsi!”
Është ky titulli i një artikulli të gjatë i një prej mediave më prestigjioze “The Athletic”, në lidhje me sulmuesin e kombëtares shqiptare. Kjo është mundësia që Broja po priste, dhe ai e di që duhet ta shfrytëzojë. Këtë javë Nikolas Xhekson mori fluturimin për t’u bashkuar me Senegalin në përgatitjet për Kupën e Afrikës, ku nëse Senegali shkon në finale, do të mungojë për plot 8 ndeshje te Çelsi.
Në mungesë te senegalezit, Broja është i vetmi qendërsulmues roli, Kristofer Nkunku ka bërë 4 paraqitje pas dëmtimit në gju, por nuk konsiderohet si një udhëheqës për sulmin dhe gjatë kësaj periudhe trajneri Mauricio Poçetino pritet ta përdorë Brojën rregullisht, me sulmuesin shqiptar që ka luajtur një rol part-time deri më tani.
Pas 5 muajsh këtë sezon, Broja numëron vetëm 5 ndeshje si titullar, dhe 9 paraqitje si zëvendësues, ka luajtur 448 minuta futboll dhe ende i duhet një shans për të luajtur një ndeshje të plotë. Koha më e gjatë që ka luajtur në një ndeshje janë 67 minutat që ju dhanë me humbjen 2-0 me Evertonin muajin e kaluar.
Arsyeja se përse kjo ka ndodhur është dëmtimi i rëndë që pësoi në dhjetorin e vitit 2022, duke ju dashur një periudhë e gjatë, deri në shtator që të ishte gati sërish për të luajtur. Pas një kohe kaq të gjatë jashtë fushe është e kuptueshme se do t’i duhej shumë kohë për të fituar formën e duhur. Mungesa e një parasezoni të plotë ishte një disavantazh i madh për të, pasi nuk shkoi me skuadrën në SHBA, duke vazhduar programin e personalizuar në bazën e klubit në Cobham.
Ndërkohë pavarësisht dëmtimeve të shumta te Çelsi, Poçetino ka patur mundësinë për të zgjedhur rregullisht në sulm emra si Xhekson, Rahim Stërling, Kol Palmer dhe Mikhailo Mudrik. Xhekson, që u ble për 35 milionë euro nga Vijarreali verën e kaluar ka shënuar 8 gola, ndërsa Broja e ka gjetur rrjetën vetëm një herë, kundër Fulhemit, 3 muaj më parë.
Poçetino gjithmonë e ka inkurajuar si në publik ashtu dhe privatisht, duke dhënë një feedback pozitiv për shqiptarin. Me tendencën e Çelsit për të shitur lojtarë të rritur në akademi për të siguruar përfitimet e nevojshme dhe respektimin e rregullave financiare, e ardhmja e Brojës është bërë objekt spekulimesh, edhe pse Çelsi refuzoi ofertat e Uest Hemit për të duke firmosur një kontratë që e lidh me klubin deri në vitin 2028.
Këtë javë ka patur zëra se Çelsi e ka ofruar atë si pjesë e një shkëmbimi për të marrë mbrojtësin e Benficës, Antonio Silva, por “The Athletic” siguron se kjo nuk është e vërtetë. Gjithsesi zërat për Brojën janë të destinuar të vazhdojnë, pasi ka një seri klubesh në Angli dhe jashtë saj që po e monitorojnë situatën e tij dhe duan që të firmosin me të nëse kjo do të ishte e mundur.
Ndërkohë me Xhekson të larguar, Broja ka mundësinë për të bërë në “Stamford Bridge” impaktin që ka dëshiruar. Në dispozicion do të jenë dy ndeshje të gjysmëfinaleve të Carabao Cup kundër Midëllsbrout, plus 4 ndeshje të Premier Ligës, që nëse fitohen mund ta çojnë Çelsin në një ndër vendet që sigurojnë futbollin europian verën e ardhshme.
Lini një Përgjigje