
Stefano Stefaneli ka marrë në muajin janar detyrën e drejtorit sportiv të Empolit, me misionin për të ringritur skuadrën dhe për ta rikthyer atë në garën për ngjitjen në Serinë A. Emërimi i tij vjen në një moment delikat për klubin, që synon të përmirësojë pozitat në renditje dhe të ndërtojë një projekt afatgjatë konkurrues.
Për të pranuar këtë sfidë, Stefaneli la postin e drejtorit të skautimit te Juventusi, duke zgjedhur një rol me më shumë përgjegjësi në drejtimin sportiv të një klubi. Ai e cilësoi këtë hap si një eksperiencë të rëndësishme për zhvillimin e karrierës së tij.
Në një intervistë për “Rai Sport”, Stefaneli u ndal te puna që po zhvillohet aktualisht në klub, veçanërisht në lidhje me lëvizjet në merkato. Ai nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të një grupi konkurrues që të jetë në gjendje të përballojë sfidat e sezonit dhe të synojë objektivin madhor – rikthimin në elitën e futbollit italian.
Megjithatë, drejtori sportiv shmangu detaje konkrete mbi strategjitë e ardhshme, duke lënë të kuptohet se puna po vijon në funksion të stabilitetit dhe rritjes së skuadrës.Gjatë intervistës, Stefaneli foli edhe për sulmuesin Stiven Shpendi, i cili është cilësuar si “protagonist në zonën e golit dhe gjithmonë e më shumë një pikë referimi” për ekipin.
“Uroj që të jetë një lojtar që tërheq ekipin deri në fund. E kam pasur edhe te Çezena, ndaj me mua hyn në një derë që është e hapur. Ai është një lojtar i rëndësishëm dhe një djalë special. Ka shumë hapësira për rritje. Për momentin po e mbajmë të shtrënguar pranë vetes, pastaj në të ardhmen ta shohim”, deklaroi Stefaneli.
Deklarata e tij lë të hapur mundësinë e zhvillimeve të ardhshme, por njëkohësisht konfirmon besimin që klubi ka te sulmuesi shqiptar në këtë fazë të sezonit.
Empoli vijon kështu përpjekjet për të konsoliduar skuadrën dhe për të ndërtuar një projekt që synon rikthimin në Serinë A, ndërsa roli i drejtuesve dhe i lojtarëve kyç pritet të jetë vendimtar në muajt në vijim.
Lini një Përgjigje