
Duket e pabesueshme ajo që po ndodh me Liverpulin këtë sezon. Kampionët në fuqi të Premier Ligës janë turpëruar 0-3 nga Notingam Forest në sfidën e javës së 12 në Premier Ligë, e luajtur në “Anfield Road”.
Murijo shënoi fillimisht për Notingamin në minutën e 33, pas një topi të ardhur nga goditja e këndit. Igor Zhesus gjeti sërish golin për miqtë pas dy minutash, por u anulua për prekje me dorë.
Pjesa e parë u mbyll 0-1 për Notingam Forest, pjesa e dytë nisi sërish me gol për miqtë. Mbrojtësi i ardhur nga Juventusi, Nikolo Savona, gjeti rrjetën pas një kundërsulmi fantastik, të finalizuar me sukses nga italiani. Morgan Gibs-Uajt vulosi fitoren e Notingamit, duke shënuar golin e tretë në minutën e 78. Arne Slot po përjeton momentin më të vështirë si trajner i Liverpulit, ndërkohë Shën Dajç do ta mbajë mend gjatë këtë fitore. Liverpuli renditet në vendin e 11 me 18 pikë, Notingam Forest ngjitet në vendin e 16 me 12 pikë.
Sandërlendi i Granit Xhakës është mundur 1-0 nga Fulhemi. Londinezët shënuan në minutën e 84 me të zakonshmin Raul Himenez. Kristal Palas fitoi në transfertë 0-2 ndaj Ullverhempton me golat e Daniel Munjoz dhe Pino në pjesën e dytë. Ekipi i drejtuar nga Oliver Glasner ngjitet në vendin e katërt pas kësaj fitoreje.
Lini një Përgjigje