
Irani ka ekzekutuar tre të rinj, mes tyre mundësin 19-vjeçar, në një ngjarje që po cilësohet nga aktivistët si vrasje me motive politike.
Saleh Mohamadi, 19 vjeç, u dënua me vdekje për vrasje në muajin shkurt. Sipas autoriteteve iraniane, ai kishte pranuar krimin, megjithëse burime dhe organizata të të drejtave të njeriut pretendojnë se deklarata është marrë nën torturë. Ekzekutimi u krye me varje publike në qytetin Qom, së bashku me dy të rinj të tjerë, Mehdi Ghasemi dhe Said Davodi, 21 vjeç, në prani të qytetarëve.
Sipas mediave shtetërore iraniane, tre të rinjtë u arrestuan për pjesëmarrje në protesta kundër regjimit. Autoritetet pretendojnë se Saleh Mohammadi dhe Saeed Davvodi hodhën koktej molotovi ndaj forcave të rendit në Sheshin Nabutov në Qom, ku më pas një polic u gjet i vrarë.
Ndërkohë, Mehdi Ghasemi akuzohet për vrasjen e një oficeri tjetër gjatë një proteste të veçantë. Të tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat, por gjykata ka pranuar si provë deklaratat e dhëna gjatë marrjes në pyetje.
Aktivistët për të drejtat e njeriut hedhin dyshime mbi procesin hetimor dhe gjyqësor, duke theksuar përdorimin e torturës dhe mungesën e një gjykimi të drejtë. Ata e lidhin këtë rast me një model më të gjerë të autoriteteve iraniane për të goditur protestuesit dhe figurat publike kritike ndaj regjimit.
Saleh Mohamadi ishte vetëm 18 vjeç në momentin e arrestimit. Ai kishte përfaqësuar Iranin në turneun ndërkombëtar “Saytiev Cup 2024” në Krasnojarsk të Rusisë, ku kishte fituar medaljen e bronztë.
Sportistë dhe aktivistë iranianë e kanë cilësuar ekzekutimin e tij si një akt politik, duke ngritur shqetësime për përdorimin e sistemit të drejtësisë si mjet represioni ndaj kundërshtarëve të regjimit.
Lini një Përgjigje