TAGS-AT E JAVËS

Sport16 Shtator 2025, 21:43

Ndalet që në kualifikuese rrugëtimi i legjendës së hedhjes së çekiçit, Yipsi Moreno: Do të provoj sërish me Shqipërinë

Shkruar nga Pamfleti

Ndalet që në kualifikuese rrugëtimi i legjendës së

Është ndalur që në kualifikuese rrugëtimi i Yipsi Morenos, përfaqësueses së vetme të Shqipërisë në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Tokio. Legjenda kubane e hedhjes së çekiçit, e cila këtë vit është bashkuar me Kombëtaren kuqezi të atletikës, nuk ia doli të kalojë në finale, duke regjistruar një rezultat nën pritshmëritë e saj në garën që u zhvillua në kryeqytetin japonez. Moreno regjistroi rezultatin 65.38 metra, duke u klasifikuar e parafundit në të dyja bateritë kualifikuese.

Megjithatë, edhe pse rezultati i saj ishte larg pritshmërive, Yipsi, tashmë në moshë 44-vjeçare, u shfaq shumë e u lumtur për rikthimin e saj në Botëror, duke garuar mes më të mirave të kësaj disipline:

“Ishte një përvojë unike dhe e jashtëzakonshme… një aventurë e vërtetë! Ishte e mrekullueshme të ndaja edhe një herë fushën me kampionen polake Anita Wlodarczyk, më e madhja e të gjitha kohërave, katër herë kampione bote, trefish kampione olimpike dhe mbajtëse e rekordit botëror me 82.98 metra, e cila vazhdon të shkëlqejë në moshën 40-vjeçare. Gjithashtu ishte emocionuese të garoja pranë rumunes Bianca Ghelber dhe vajzave të reja, të cilat dikur i kisha kundërshtare përpara se të tërhiqesha.

Të jem mes brezit të ri, i drejtuar nga trajnerë që dikur garonin me mua, është një ndjenjë shumë e bukur”, u shpreh Yipsi pas garës për mediat kubane. Më pas atletja tregon për rikthimin në garën më prestigjioze, siç është botërori, pasi ishte tërhequr nga sporti. “Ishte një përvojë e bukur, por edhe e çuditshme, sepse kjo mundësi erdhi në një moment kur mendova se nuk do të hidhja më kurrë. Erdha në Shqipëri… dhe ja ku jam”.

Iniciatori për të bërë pjesë të Shqipërisë ish-kampionen olimpike ishte Taulant Stërmasi, ish-presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, ndërsa Yipsi, tregon për kalimin në radhët e Shqipërisë: “Bashkëshorti im, Abdel (preparator i Kombëtares shqiptare), ka një kontratë pune që na lejon të jemi të gjithë së bashku si familje. Në Tiranë, më pyetën nëse do të isha e interesuar të konkurroja përsëri, qoftë edhe vetëm në kampionatin kombëtar. Bazuar në paraqitjen time, mund të merrja pjesë edhe në gara si Lojërat Ballkanike në divizionin e tretë. Abdel më shtyu të provoj, duke ditur sa shumë e dua këtë sport dhe që gjithmonë kam qenë aktive në palestër.

E nisëm si hobi… dhe ja ku na çoi rruga”. Për sa i përket performancës në Tokio, Yipsi deklaron: “Isha në formë të mirë, por nuk ia dola. Ishte, për sa i përket rezultatit, gara më e dobët që kam bërë, edhe pse isha shumë e përgatitur. Ndoshta ndihesha njësoj si në kampionatin tim të parë botëror në Sevilje ’99. Por në sport, përgatitja fizike nuk mjafton, gjithçka duhet të përputhet në atë ditë. Ndoshta isha shumë e emocionuar. Megjithatë, nuk jam e zhgënjyer. Përkundrazi, kam rizgjuar Yipsin që më ka mbetur brenda botës së sportit dhe po e përdor në jetën time”.

Në moshë 44-vjeçare, Moreno tregon se çfarë të bën më krenare, titulli olimpik apo tre kampionatet botërore:

Të gjitha medaljet e mia janë krenaria ime, sepse secila ka një histori sakrifice, jo vetëm timen, por edhe të familjes sime, të bashkëshortit tim Abdel, dhe të trajnerit tim. Rekordi im personal (76.62 metra) më ka dhënë kënaqësi të jashtëzakonshme. I dua të gjitha arritjet e mia, janë fituar me dashuri”. Pavarësisht rezultatit në botëror, Yipsi Moreno tregon se nuk ka ndërmend të ndalet: “Kur të kthehem në Shqipëri, do të marr një pushim të shkurtër dhe më pas do të nis përgatitjet për sezonin tjetër. Do të jap maksimumin edhe për dy vite të tjera. Në një vit kam bërë përparim të madh, le të shohim çfarë do të sjellin dy të tjerë”, përfundon legjenda e hedhjes së çekiçit.

yipsi moreno legjenda e hedhjes së çekiçit

Lini një Përgjigje