
Kanë përfunduar dy ndeshjet e para të ditës së sotme për në Champions League. Në “San Mames”, Arsenal fitoi 0-2 ndaj Atletik Bilbaos. Për vendasit mungonte ylli i tyre kryesor, Niko Uilliams, i dëmtuar.
Londinezët e filluan takimin me “artilerinë e rëndë”, por blerjet e bujshme të verës si Giokeres dhe Eze nuk ishin në ditën e tyre më të mirë.
Goli i Arsenalit erdhi nga stoli. Gabriel Martineli i sapo futur në fushë zhbllokoi shifrat në minutën e 72, pas asistit që mori nga Leandro Troshard, edhe ky i futur si zëvendësues në pjesën e dytë.
Pas një topi të humbur nga vendasit, nis aksioni i shpejtë i londinezëve, Troshard pason në mënyrë akrobatike për Martinelin, braziliani bëri vetë gjithçka bukur. Kaloi dy mbrojtësit kundërshtarë dhe në fund “shkundi” rrjetën.
Në minutën e 87, ishte sërish kombinimi Martineli-Troshard dhe këtë herë ishte radha e belgut për të dërguar topin në rrjetë. Arsenali e nis me fitore këtë sezon të Champions League, rezultati final 0-2.
Në “Philips Stadion”, PSV-ja është mundur 1-3 nga Rojal Union Sent Xhilois. Fillimisht kampionët e Belgjikës kaluan në avantazh falë një penalltie të shndërruar në gol nga Promis Devid në minutën e 9, pas një faulli të qartë brenda në zonë.
Në minutën e 38, belgët shënuan golin e dytë me Ait El Haxh, i cili pasi rikuperoi një top të humbur nga vendasit në mesin e fushës, e mori i vetëm atë dhe e dërgoi në rrjetë. Në pjesën e dytë, belgët trefishuan shifrat me Kevin Mek Alister në minutën e 80. Vëllai i Aleksis Mek Alister shënoi pas një topi që mori nga goditja e këndit. Holandezët shënuan golin e nderit në fund të kohës së rregullt me Ruben van Bomel.
Lini një Përgjigje