
Interi ka bërë një “spastrim” të vogël gjatë kësaj vere duke larguar lojtarë të cilët nuk shiheshin si thelbësorë në planet e klubit nën drejtimin e Kivu dhe mendohej se nuk ishin në lartësinë e duhur për zikaltrit. Në klubin milanez, lëvizje të tilla me largimin e emrave si Asllani, Zalevski, Pavard apo Taremi, u argumentuan se klubi po bënte një hap para duke afruar zëvendësues të një cilësie më të lartë.
Po ndërsa Interi e ka nisur si mos më keq këtë edicion në Serinë A, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për lojtarët e larguar. “Gazzetta Dello Sport” ka bërë një speciale pikërisht me këta 7 futbollistë të larguar në verë, të cilët në klubet e reja ta tyre kishin një start shumë të mirë të edicionit.
Pavard shënoi gol në debutimin me Olimpik Marsejën, Zalevski shënoi gol e dha asist me Atlantën, Taremi shënoi dy herë me Olimpiakosin në 20 minutat e parë në fushë, Arnautoviç ka shënuar një gol e ka dhënë 3 asiste te Crvena Zvezda, Bjukenën shënoi tregolësh në një ndeshje të La Liga ndaj Zhironës, ndërsa Stankoviç shënoi edhe në Ligën e Kampioneve me fanelën e Bryzhit. Pastaj është Asllani, i vetmi që nuk ka shënuar në klub (e ka bërë në Kombëtare) por që ka lënë shenjë me lojën e tij te Torino në ndeshjen e fundit me Romën.
“Nuk e sheh shumë, por e ndjen shumë praninë e tij. Është truri gjithmonë i ndezur i Toros. I pazëvendësueshëm. 7,5”, është vlerësimi që gazeta italiane i ka vënë për ndeshjen ndaj Romës. “Pas një periudhe të shpejtë përshtatjeje me futbollin e Baronit, shqiptari ka bërë menjëherë të tijin Torinon. Po tek Interi kur ishte ndonjë herë kaq i pazëvendësueshëm?”, ironizon gazeta italiane me klubin zikaltër.
Lini një Përgjigje