
Pas publikimit të listës për ndeshjen ndaj Shqipërisë, trajneri i përfaqësueses së Polonisë ka dalë në një konferencë për shtyp, ku iu përgjigj interesit të gazetarëve dhe analizoi kundërshtarin.
Ai u shpreh se stafi teknik ka bërë një analizë të detajuar të skuadrës shqiptare, duke nënvizuar njohjen e mirë që kanë për futbollistët kuqezi. Sipas tij, Shqipëria përfaqëson një ekip cilësor dhe me stabilitet të dukshëm në lojë.
“E kemi analizuar Shqipërinë dhe kemi njohuri të shumta për futbollistët e saj. Duhet theksuar se bëhet fjalë për një ekip shumë të mirë dhe me stabilitet.
Trajneri Silvinjo është në krye të skuadrës për tre vite. Për më tepër, ata kanë arritur të fitojnë një grup kualifikues ndaj Polonisë dhe Republikës së Çekisë, si dhe kanë regjistruar një fitore në udhëtim ndaj Serbisë.
Shqipëria ka futbollistë cilësorë që aktivizohen në ekipe të mira. Ata luajnë me një model të ngjashëm me futbollin italian. Mbrohen mirë dhe pësojnë pak gola. Ndoshta nuk shënojnë shumë, pasi janë të përkushtuar në aspektin mbrojtës. Na pret një sfidë jashtëzakonisht e vështirë. Nuk mund ta nënvlerësojmë kundërshtarin apo të mendojmë se fitorja është e sigurt. Do të jetë një përballje shumë e fortë”- tha ai.
Lini një Përgjigje