
Nis supersfida Moldavi Shqipëri, e vlefshme për grupin E të kualifikueseve të “EURO 2024” që do të luhet vitin e ardhshëm në Gjermani.
Djemtë e Silvinjos janë vetëm 1 pikë larg festës së madhe dhe në Moldavi nuk kanë rrugë tjertër veçse të sigurojnë kualifikimin. Skuadra është me e karikuar se kurrë më parë për të rishkruar sërish historinë e futbollit shqiptarë.
Të gjithë tifozët shqiptarë anembanë botës do të “mbajnë frymën”, teksa presin me shampanjë në dorë për të festuar kualifikimin dhe për të përjetuar për herë të dytë emocionet që të jep një kompeticion i tillë.
Paraqitja fantastike e kësaj kombëtareje ka rritur pritshmëritë dhe ditën e sotme të gjithë presin një tjetër ndeshje spektakolare duke pasur parasysh se Moldavia do të luajë gjithçka për gjithçka për 3 pikët që do e mbanin në lojë për kualifikimin për herë të parë në një europian.
Njëkohësisht, kuqezinjtë luajnë edhe për dy rekorde që mund t’i arrijnë që sot.
I pari është ai i numri të fitoreve në kualifikueset e një Europiani. Asnjëherë më parë Shqipëria nuk ka bërë më shumë se 4 suksese në një edicion, shifër tek e cila është ndalur në të dy edicionet e fundit në kualifikuese, si në atë të vitit 2016 ashtu edhe në atë të vitit 2020. Aktualisht kuqezinjtë kanë 4 fitore në grup dhe e 5 do të shënonte rekordin e ri të kësaj Kombëtareje.
Gjithashtu, Shqipëria është në ndjekje të rekordit për numrin më të lartë të pikëve në një turne kualifikues për Europianin. Kuqezinjtë kanë 13 pikë, pa aq sa arriti skuadra në edicionin e kaluar me 10 ndeshje të luajtura, teksa kanë vetëm 1 pikë më pak se sa rekordi i 14 pikëve me të cilën mbyllën kualifikueset në “EURO 2016”, ku siguruan pjesëmarrjen në fazën finale të turneut.
Përsa i përket statistikave të përballjeve mes dy ekipeve, kuqezinjtë ia kanë dalë të triumfojnë 5 herë, ndërsa vetëm një takim ka përfunduar në barazimin 0-0.
Triumfi më i thellë është ai i 14 tetorit 2019, ku Shqipëria mposhtte me rezultatin 4-0 në transfertë Moldavinë. Suksesi i fundit u regjistrua në qershorin e këtij viti në “Air Albania”, ku Kombëtarja e Silvinjos mposhti Moldavinë 2-0 falë golave të Jasir Asanit dhe Nedim Bajramit. Në këto 6 duele, Shqipëria ka shënuar 14 gola, ndërsa ka pësuar vetëm 2.

Lini një Përgjigje