Norvegjia dhe Anglia do të diskutojnë kualifikimin në shtesa. Çerekfinalja mes këtyre dy ekipeve është mbyllur në barazim 1-1.
Për rreth 20 minuta në Miami, dy skuadrat qëndruan në barazim pa gola, pa regjistruar asnjë goditje drejt portës. Anglia mbajti mbi 70% topin dhe kërkoi vazhdimisht hapësira në sulm, por goli i parë erdhi papritur nga Norvegjia.
Në minutën e 36-të, kundër rrjedhës së lojës dhe në aksionin e parë të rrezikshëm të norvegjezëve, Andreas Shjelderup zhbllokoi rezultatin. Nga krahu i majtë, ai realizoi një krosim-goditje spektakolare, duke e dërguar topin në këndin e largët të portës së Pikford për rezultatin 1-0.
Pas golit, ritmi i ndeshjes u rrit dhe Anglia shtoi presionin. Në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, “Tre Luanët” arritën të barazonin me një tjetër realizim të jashtëzakonshëm.
Xhud Belingam mori një pasim nga Gordon, kontrolloi në mënyrë perfekte topin, depërtoi mes dy kundërshtarëve dhe, nën presion, goditi bukur me të majtën, duke vendosur baraspeshën 1-1. Me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë.
Në minutën e 55-të, Norvegjisë iu anulua goli I avantazhit. Pas një karamboli në zonë, topi shkoi te Hegem i cili e dërgoi në rrjetë. Gjithsesi, pas ndërhyrjes së VAR-it, goli u anulua pas një faulli të Haland ndaj Xhon Stons.
Lini një Përgjigje