
Irani ka njoftuar Federatën Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) se mund të tërhiqet nga Kupa e Botës 2026, nëse ndeshjet e Grupit G kundër Belgjikës, Egjiptit dhe Zelandës së Re nuk zhvendosen nga Shtetet e Bashkuara drejt Meksikës. Arsyeja kryesore e kësaj kërkese lidhet me shqetësimet për sigurinë publike.
Ministri i Sportit i Iranit, Ahmad Doniamali, ka deklaruar se mundësia që përfaqësuesja iraniane të luajë në qytete si Los Angeles dhe Seattle është “shumë e ulët”. Ai ka theksuar mungesën e garancive logjistike, si dhe ka përmendur deklaratat e fundit të Presidentit amerikan Donald Trump si faktorë që, sipas tij, e bëjnë situatën të papranueshme.
Pavarësisht kërkesave të Teheranit dhe presionit diplomatik, FIFA nuk ka dhënë ende sinjale për ndryshimin e vendndodhjes së ndeshjeve. Në këtë situatë, vendimi përfundimtar për pjesëmarrjen e Iranit mbetet në dorën e autoriteteve iraniane, të cilat kanë kërkuar “garanci konkrete” përpara se të marrin një qendrim përfundimtar.
Sipas rregulloreve të FIFA-s, në rast se Irani tërhiqet nga kompeticioni, vendi i tij nuk do t’i kalojë Italisë, por Emirateve të Bashkuara Arabe, në përputhje me kriteret territoriale dhe praktikat aktuale të organizatës.
Lini një Përgjigje