TAGS-AT E JAVËS

Sport31 Gusht 2025, 16:50

Oscar Piastri shkëlqen në Holandë, zhgënjim total për Ferrarin; Leclerc dhe Hamilton e mbyllin garën jashtë piste

Shkruar nga Pamfleti

Oscar Piastri shkëlqen në Holandë, zhgënjim total për

Piloti australian Oscar Piastri ka regjistruar një fitore madhështore sot në pistën ikonike të Zandvoort, duke fituar Çmimin e Madh të Holandës në Formula 1 dhe duke konsoliduar pozitat e tij drejt titullit kampion. Me një paraqitje të shkëlqyer dhe menaxhim perfekt të garës, ai la pas rivalët, përfshirë shokun e skuadrës dhe kundërshtarin më të afërt në renditje, Lando Norris.

Norris u tërhoq dhjetë xhiro nga fundi për shkak të një defekti në motor, duke i dhuruar kështu Piastri-t jo vetëm fitoren e pistës, por edhe një diferencë prej 34 pikësh në klasifikimin e përgjithshëm. Ishte një përballje kokë më kokë gjatë gjithë garës, me Norris që nuk arriti kurrë të kalojë australianin dhe në fund ngriti “flamurin e bardhë”.

Max Verstappen, edhe pse në pistën e tij të preferuar dhe para tifozëve të zjarrtë holandezë, nuk mundi të sfidojë makinat e McLaren. Ai përfundoi i dyti me Red Bull, ndonëse makina e sigurisë hyri tri herë në pistë dhe krijoi hapësira strategjike për sulm.

Surpriza e madhe ishte Isak Hadjar me RB, i cili u ngjit për herë të parë në podium duke zënë vendin e tretë, një arritje e jashtëzakonshme për pilotin e ri, që me këtë rezultat i hap vetes dyert për më shumë garanci në garat e ardhshme.

Një tjetër garë për t’u harruar për Ferrari-n. Leëis Hamilton humbi kontrollin dhe doli jashtë piste që në pjesën e parë të garës. Charles Leclerc, nga ana tjetër, u përplas me Kimi Antonelli-n në një incident që solli fundin e hershëm të garës për të dy. Antonelli u ndëshkua me 15 sekonda penalitet dhe për pasojë, edhe pse përfundoi i gjashti në pistë, mbeti jashtë pikëve.

Pas podiumit, në vendin e katërt përfundoi George Russell me Mercedes, ndjekur nga Alexander Albon, Oliver Bearman, Lance Stroll, Fernando Alonso, Yuki Tsunoda dhe Esteban Ocon.

Kjo garë shënon një kthesë të rëndësishme në sezonin 2025 të Formula 1, ku Piastri jo vetëm që dëshmon se është pretendent serioz për titullin, por edhe vendos presionin maksimal mbi rivalët e tjerë, ndërsa McLaren konfirmon se ka makina për kampion bote.

Lini një Përgjigje