
Në rrugët e Tiranës u zhvillua sot etapa e dytë e edicionit nr.108 të Xhiros së Italisë, një kronometër individual 13.7km e gjatë. Një etapë e fituar nga çiklisti Joshua Tarling, që në përfundim të garës dha kohën 16”07.
Një paraqitje e mirë e çiklistit britanik, që ishte më i shpejti, ndërkohë që emocionet dhe rivaliteti nuk munguan, me mijëra fansa që përshëndetën në rrugët e kryeqytetit garuesit, duke e bërë mjaft të këndshme pasditen.
Në krye të Xhiros së Italisë pas dy etapave të para ndodhet çiklisti Primoz Roglic, me 1 sekondë avantazh karshi ndjekësit më të afërt. Ai veshi edhe fanellën rozë të liderit të këtij turneu, që deri më tani po dhuron mjaft emocione e rivalitet mes garuesve.
Një organizim i shkëlqyer i kësaj etape, që edhe pse paralizoi disi qarkullimin e makinave, u dha mundësi qytetarëve të ndjekin një nga eventet më të mëdha dhe të bukura sportive në botë.
Në start të kësaj etape të dytë morën pjesë 182 çiklistë, ndërkohë që nuk garuan dy pedaluesit e rrëzuar dje në kilometrat e fundit të garës, të dëmtuar. Të dielën do të zhvillohet në Vlorë etapa e tretë, 160km e gjatë.
Një etapë mikes, fushore në fillim e fundin e saj, ndërsa mesi i saj është malorja e vështirë e Llogarase. Të gjithë garuesit do të kenë mundësi të garojnë e shohin edhe pamjet e mrekullueshme të bregdetit shqiptar.
Lini një Përgjigje