TAGS-AT E JAVËS

Sport12 Tetor 2023, 18:02

Pjesëmarrja e mundshme në Europianin e Gjermanisë, sa vlen kualifikimi i kuqezinjve në “EURO 2024”

Shkruar nga Pamfleti

Pjesëmarrja e mundshme në Europianin e Gjermanisë, sa vlen

Nëse Kombëtarja do të kualifikohet në “EURO 2024”, që do të zhvillohet vitin tjetër në Gjermani, kjo do t’i sillte Federatës Shqiptare të Futbollit 9.25 milionë euro.

Kjo shifër është minimalja dhe e njëjtë për 24 kombëtaret që do të marrin pjesë në grupe. Më tej përfitimet nuk ndalen me kaq, pasi për çdo fitore në grup, UEFA ka vendosur një bonus prej 1.5 milionë eurosh, ndërsa barazimi vlen 750 mijë euro.

Çdo kombëtare që do të kalojë grupet do t’i sjellë federatës përkatëse 2 milionë euro të ardhura. Ndërkohë 3.25 milionë të tjera do të përfitohen nëse arrin në çerekfinale.

Gjysmëfinalja vlen 5 milionë euro. Sa u përket dy ekipeve që shkojnë në finale, humbësi do të marrë 7 milionë euro, ndërkaq kombëtarja që fiton Europianin “Gjermani 2024” do të përfitojë 10 milionë euro.

Përgatitjet kanë nisur edhe nga forcat e policisë, me 1700 efektivë që janë në terren për të siguruar mbarëvajtjen e këtij eventi dhe shmangur përplasjet mes tifozëve. Do jenë afro 600 tifozë çek në "Air Albania", me stadiumin që do jetë i mbushur në kapacitet maksimal dhe tanët në sektorët e stadiumit do kenë nga një plis për koreografinë.

Deni Makeli do jetë arbitri i këtij takimi, me holandezin që është ndër arbitrat më të mirë në Evropë dhe me profesion polic.

Sa i takon formacionit, Sylvinho ka projektuar skemën 4-3-3. Në portë pritet Berisha, ndërsa në mbrojtje Mitaj, Gjimshiti, Ajeti, Hysaj; mesi i fushës, Bajrami, Asllani, Ramadani; në sulm pritet të luajnë Asani, Seferi dhe Cikalleshi.

Kujtojmë se pas pesë ndeshjeve në grupin E kualifikues të Euro 2024, Shqipëria mban vendin e parë në grup me 10 pikë, dy më shumë se Çekia që ka edhe një ndeshje më pak. Më pas Moldavia me tetë pikë, Polonia me gjashtë dhe mbyllin klasifikimin Ishujt Faroe me një pikë.

kombëtarja shqiptare kualifikimi në europian

Lini një Përgjigje