Një lajm që qarkulloi me shpejtësi gjatë ditës së sotme në mediat online fliste për një shtyrje të dënimit apo rikthimit të Skënderbeut në arenën europiane në sezonin 2028-2029, pas dënimit 10-vjeçarë që mori duke filluar nga edicioni 2016-2017. Për të hedhur dritë mbi këtë situatë, Top Channel kontaktoi presidentin e klubit korçar, Ardjan Takaj, i cili ka sqaruar ekskluzisht situatën.
Takaj u shpreh plotësisht i befasuar nga ky informacion, duke konfirmuar se klubi i Skënderbeut nuk ka asnjë njoftim të ri nga institucioni më i lartë i futbollit europian.
“Jam vërtet i befasuar nga ky informacion që po qarkullon në disa media online. Klubi i Skënderbeut nuk ka asnjë dijeni për një pretendim të tillë. E vërteta është krejt ndryshe nga ajo që po aludohet nëpër portale,” deklaroi prerazi Ardjan Takaj për Top Channel.
Më tej, numri një i korçarëve zbuloi detaje mjaft të rëndësishme nga korrespondenca zyrtare që klubi ka pasur me organet juridike të UEFA-s. Sipas tij, çështjet e dënimit janë të mbyllura sipas afateve të përcaktuara qartë kohë më parë dhe se nuk ka asnjë zgjatje të penalizimeve.
“Disa kohë më parë, klubit tonë i është komunikuar zyrtarisht nga vetë UEFA se dënimi ka përfunduar. Prej sezonit 2026-2027, Skënderbeu është plotësisht i lirë dhe i pastër për të vazhduar garën normalisht në Kupat e Europës,” shtoi presidenti i klubit.
Në fund të reagimit të tij, Takaj theksoi se rrugëtimi i Skënderbeut drejt rikthimit në arenën ndërkombëtare varet tashmë vetëm nga performanca në fushën e lojës. Klubi i ka sytë nga e ardhmja dhe objektivi i vetëm mbetet ai sportiv.
“Rruga jonë drejt Europës kalon vetëm nga fusha. Na duhet të plotësojmë kriterin e parë dhe kryesor që është ai sportiv: klasifikimi në një ndër vendet që sigurojnë pjesëmarrjen në arenën ndërkombëtare në përfundim të kampionatit. Jemi të fokusuar te puna dhe te projekti ynë, jashtë çdo gjëje që kërkojnë të destabilizojnë ambientin tonë,” përfundoi Takaj.

Lini një Përgjigje