Shtëpia e Bardhë shpreh besim se Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetin për të pritur sërish turneun më të madh të futbollit, duke theksuar infrastrukturën ekzistuese dhe përvojën organizative.
Edhe pse Kupa e Botës 2026 është ende në zhvillim dhe kanë mbetur edhe 44 ndeshje deri në përfundimin e saj, në Shtetet e Bashkuara kanë nisur tashmë diskutimet për organizimin e një tjetër Botërori, këtë herë në vitin 2038.
Pas organizimit të turneut në vitin 1994 dhe bashkëorganizimit të edicionit të vitit 2026 me Meksikën dhe Kanadanë, administrata amerikane po shqyrton mundësinë e paraqitjes së kandidaturës për të pritur edhe Kupën e Botës 2038.
Sipas raportimeve, SHBA po përgatit një ofertë që mund të arrijë vlerën e rreth 2 miliardë dollarëve për të bindur FIFA-n t’i besojë organizimin e Botërorit 2038.
Drejtori ekzekutiv i grupit të punës të Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës 2026, Andrew Giuliani, tha se SHBA-ja është e gatshme të përballojë edhe një turne me përmasa më të mëdha.
"Nëse marrim parasysh se kjo Kupë Bote mund të zgjerohet në 64 ekipe në një moment, mendoj se Shtetet e Bashkuara mund ta përballojnë këtë", deklaroi Giuliani.
Ai bëri të ditur gjithashtu se e ka diskutuar këtë mundësi me presidentin amerikan Donald Trump, duke theksuar se SHBA-ja mbetet destinacioni ideal për organizimin e një Botërori.
"Nuk ka vend më të mirë për të pritur një Kupë Bote sesa Shtetet e Bashkuara dhe mendoj se kjo po reflektohet edhe në reagimet në mediat sociale", u shpreh ai.
Sipas Giulianit, tifozët nga e gjithë bota po krijojnë një përshtypje pozitive për vendin, ndërsa infrastruktura sportive dhe logjistike është një nga avantazhet kryesore të SHBA-së.
"Po shohim që shumë tifozë, të cilët mund të jenë duke vizituar Shtetet e Bashkuara për herë të parë ose pas shumë vitesh, po zbulojnë se vendi ynë është shumë mikpritës dhe ka një infrastrukturë të jashtëzakonshme. Stadiumet tashmë ekzistojnë, ndaj kostoja për organizimin është shumë më e ulët krahasuar me vende të tjera, ku nevojiten dhjetëra miliarda dollarë për ndërtimin e tyre", shtoi Giuliani.
Interesi për vitin 2038 nuk është rastësor. Deri më tani, FIFA ka konfirmuar organizatorët e Kupës së Botës 2030, që do të jetë Spanja, Portugalia dhe Maroku, ndërsa edicioni i vitit 2034 do të zhvillohet në Arabinë Saudite. Botërori i vitit 2038 mbetet ende pa një vend organizator, çka e bën atë objektivin e radhës për Shtetet e Bashkuara.
Në edicionin aktual të Kupës së Botës 2026, SHBA-ja është vendi pritës i 78 prej 104 ndeshjeve të turneut, duke forcuar ambicien për të organizuar sërish kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit botëror.
Nëse kandidatura amerikane zyrtarizohet dhe miratohet nga FIFA, SHBA do të organizonte për herë të dytë Kupën e Botës, pas turneut aktual.
The United States could consider making a bid to host the men's 2038 World Cup, says the executive director of the White House's World Cup task force ????
— Match of the Day (@BBCMOTD) June 26, 2026
The 2038 World Cup is the next one for which a bidding process will take place. pic.twitter.com/o9srgyZ55Q
Lini një Përgjigje