Kupa e Botës 2026 ka hyrë në histori si edicioni me numrin më të madh të tifozëve të pranishëm në stadiume, duke thyer rekordin e vendosur në Botërorin e vitit 1994. Lajmi është bërë i ditur nga FIFA, e cila e cilësoi këtë turne si më të ndjekurin ndonjëherë.
Rekordi i ri u konfirmua gjatë pjesës së dytë të ndeshjes mes Gjermanisë dhe Ekuadorit, të zhvilluar në “East Rutherford”, New Jersey. Në ekranet gjigante të stadiumit u shfaq shifra prej 3,605,357 tifozësh, e cila u prit me duartrokitje nga spektatorët e pranishëm.
Ky numër tejkalon rekordin prej rreth 3.6 milionë spektatorësh të regjistruar në Kupën e Botës 1994, të zhvilluar gjithashtu në Shtetet e Bashkuara. Me 48 ndeshje ende për t'u luajtur dhe stadiume të mbushura mesatarisht mbi 99 për qind të kapacitetit, pritet që numri përfundimtar i tifozëve të arrijë një rekord edhe më të lartë.
Ekspertët e ekonomisë sportive e lidhin këtë interes të jashtëzakonshëm me rëndësinë globale të turneut, pavarësisht çmimeve të larta të biletave dhe kufizimeve të udhëtimit për qytetarët e disa vendeve.
"Shumë njerëz do të donin të ishin të pranishëm në Botëror, por nuk e patën këtë mundësi", u shpreh Victor Matheson, ekonomist dhe ekspert i biznesit sportiv në Kolegjin e Kryqit të Shenjtë.
Në të njëjtën linjë, profesori Dan Rascher nga Universiteti i San Franciscos theksoi se interesi i publikut amerikan për ngjarje të mëdha sportive mbetet shumë i lartë.
"Amerikanët duan të jenë pjesë e momenteve të mëdha", deklaroi ai.
Duke komentuar arritjen, FIFA shkroi: "Kupa e Botës 2026 është turneu me pjesëmarrjen më të lartë në histori."
Lini një Përgjigje