Barazimi pa gola mes Australisë dhe Paraguait në Grupin D të Kupës së Botës ka ndezur polemika të forta në rrjetet sociale, ku shumë tifozë kanë akuzuar të dyja kombëtaret se luajtën për të ruajtur një rezultat që u leverdiste të gjithëve.
Para nisjes së sfidës, llogaritë ishin të qarta: një pikë për secilën skuadër do t’i çonte të dyja në kuotën e katër pikëve, pas SHBA-së që kishte siguruar vendin e parë në grup, duke i afruar ndjeshëm me fazën e 1/16-ve.
Dhe pikërisht kështu ndodhi. Në stadiumin e San Franciskos, Australia dhe Paraguai u ndanë në barazim 0-0, në një ndeshje me pak raste për shënim dhe ritëm të ulët. Rezultati i siguroi Australisë vendin e dytë në grup, ndërsa Paraguai e mbylli në vendin e tretë, me gjasa shumë të mëdha për t’u kualifikuar si një nga katër ekipet më të mira të vendeve të treta.
Pas vërshëllimës së fundit, reagimet në rrjetet sociale nuk munguan. Shumë tifozë e cilësuan sfidën si një nga më të dobëtat në historinë e Kupës së Botës.
“Ndoshta ndeshja më e keqe në historinë e Botërorëve dhe ndoshta në historinë e njerëzimit”, shkroi një përdorues.
Të tjerë hodhën dyshime për një "pakt të heshtur" mes dy skuadrave, duke argumentuar se barazimi ishte rezultati ideal për të dyja palët dhe se asnjëra nuk mori rreziqe për të kërkuar fitoren.
Me këtë rezultat, Australia siguroi kalimin si e dyta e Grupit D dhe më 3 korrik në Arlington të Teksasit do të përballet në fazën e 1/16-ve me skuadrën që do ta mbyllë e dyta Grupin G.
Nga ana tjetër, Paraguai pret vetëm konfirmimin matematikor të kualifikimit, pasi renditet në një pozitë shumë të favorshme mes ekipeve të vendeve të treta.
Barazimi ka ndikuar edhe në garën për vendet e fundit që çojnë në fazën eliminatore. Kombëtare si Skocia kanë parë të zbehen shanset e tyre, pasi Paraguai ka marrë një avantazh të rëndësishëm në renditjen e skuadrave të vendeve të treta.
Lini një Përgjigje