
Ish-trajneri i Liverpoolit dhe Borussia Dortmundit vë në dyshim arsyetimin e FIFA-s për ndërprerjet gjatë ndeshjeve, duke pretenduar se ato favorizojnë interesat televizive dhe sponsorët.
Jurgen Klopp ka dalë hapur kundër FIFA-s lidhur me vendimin që gjatë ndeshjeve të futbollit të ketë ndërprerje prej tre minutash për hidratimin e lojtarëve. Ish-trajneri i Liverpoolit dhe Borussia Dortmundit pretendon se këto pushime nuk po përdoren vetëm për mbrojtjen e futbollistëve nga temperaturat e larta, por edhe për t’u krijuar televizioneve hapësira shtesë publicitare.
Sipas Klopp, argumenti i mirëqenies së lojtarëve po përdoret si justifikim për një praktikë që në thelb i shërben interesave komerciale.
“Këto masa të supozuara si mbrojtëse ndaj nxehtësisë na u shitën si një mburojë për mirëqenien e lojtarëve, një armë fisnike kundër temperaturave të larta. Në realitet, ato nuk janë gjë tjetër veçse një kafaz i praruar i ndërtuar për sponsorët”, është shprehur tekniku gjerman.
Dyshimet mbi nevojën e këtyre ndërprerjeve janë shtuar pasi në disa ndeshje pushimet e hidratimit janë aplikuar edhe në kushte atmosferike që nuk konsideroheshin ekstreme. Sipas kritikëve, ndërprerjet ndikojnë në ritmin e lojës dhe shpesh pengojnë vazhdimësinë normale të ndeshjeve.
Kritikave të Klopp iu bashkua edhe trajneri i kombëtares së Shteteve të Bashkuara, Mauricio Pochettino. Pas debutimit të ekipit të tij, ai theksoi se pushime të tilla kanë pak kuptim kur temperaturat nuk paraqesin rrezik të veçantë për shëndetin e futbollistëve.
Ndërkohë, disa vëzhgues të futbollit argumentojnë se çdo ndërprerje tre-minutëshe përfaqëson një mundësi të vlefshme për transmetuesit televizivë, të cilët mund ta shfrytëzojnë atë për shitjen e hapësirave reklamuese.
Debati mbi balancën mes mirëqenies së lojtarëve dhe interesave komerciale pritet të vazhdojë, ndërsa FIFA deri më tani i ka mbrojtur këto masa si pjesë të protokolleve për mbrojtjen e sportistëve në kushte të nxehta atmosferike.
Lini një Përgjigje