
Roma ka zbarkuar paraditen e sotme në Tiranë për ndeshjen me Partizanin. Në stadiumin “Air Albania” do të luhet ky takim miqësor mes dy skuadrave.
Menjëherë pasi ka zbritur në Tiranë, trajneri portugez Zhoze Murinjo u shpreh i lumtur që rikthehet në kryeqytetin shqiptar. Ai shtoi se ka kujtime të bukura për shkak të finales së Konferencë Ligës vitin e kaluar, ku Roma mposhti Fejnordin me rezultatin 1-0, ndërkohë që shtoi se do të takonte edhe një mik të veçantë.
“Gjithmonë jam i lumtur të vij këtu. Nga pikëpamja e sportit është vend që rri gjithmonë pas nesh për atë çfarë ndodhi para 2 vitesh. Nga pikëpamja personale kam shumë marrëdhënie të mira me kryeministrin dhe jam i lumtur që vij këtu. Jam i lumtur edhe për të sepse po bën një punë të madhe në vend”, u shpreh Murinjo për “RTSH”.
Nga ana tjetër, trajneri i Partizanit Zoran Zekiç është i fokusuar maksimalisht në objektivin e kualifikimit për në play off-in e Ligës së Konferencës, pasi tashmë e ka në dorë me fitoren 1-2 të arritur në Letoni dy ditë më parë. Si rrjedhojë për këtë takim të mbrëmjes së sotme sigurisht që trajneri Zekiç do të fusë në fushën e lojës lojtarët me më pak minuta në këtë periudhë që kanë luajtur 5 ndeshje europiane dhe ku kanë mundur të avancojnë deri në këtë raund të tretë të Ligës së Konferencës.
Për Romën ky do të jetë testi i radhës i programuar në vargun e ndeshjeve miqësore që ka skuadra e Murinjos në prag të startit të ri të kampionatit Italian të Serisë A
Lini një Përgjigje