Sport 4 Prill 2023, 21:32

Serbia zhvillon ndeshje ilegale në territorin e Kosovës, reagon ashpër FFK-ja

Shkruar nga Pamfleti

Serbia zhvillon ndeshje ilegale në territorin e Kosovës, reagon

Federata e Futbollit e Kosovës dënon ashpër zhvillimin e garave ilegale të futbollit nga ana e strukturave të Serbisë brenda territorit të vendit të saj. FFK-ja është anëtare me të drejta të plota në UEFA që nga maji i vitit 2016 dhe si e tillë është institucioni i vetëm me statutin e UEFA-s dhe të FFK-së që bën organizimin e garave të futbollit në Republikën e Kosovës.

Raportimet e fundit në media për zhvillimin e ndeshjeve nga struktura ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës, ndonëse në nivele amatore, janë shqetësuese dhe të papranueshme. FFK-ja edhe më herët i ka diskutuar këto dukuri brenda Këshillit për Sportin dhe ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme. Aktivitetet e tilla e cenojnë autoritetin e FFK-së dhe sovranitetin e Kosovës në përgjithësi.

FFK kërkon nga të gjithë faktorët relevant të shtetit, Këshilli për Sportin dhe organet e rendit, që të ndërmarrin hetime urgjente dhe t’i ndalojnë aktivitetet e tilla ilegale dhe është e gatshme të ndihmojë me ekspertizë dhe mbështetje përmes mekanizmave të UEFA-s dhe FIFA-s.

Ne jemi të hapur për bashkëpunim dhe mbështetje për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, duke përfshirë edhe komunitetin serb, por nuk mund të lejojmë zhvillimin e aktiviteteve të strukturave ilegale, që në kundërshtim me rregullat e UEFA-s bëjnë organizim të ndeshjeve të futbollit brenda territorit të Kosovës. Andaj, do të bëjmë çdo gjë që është në kompetencat tona për t’i ndaluar këto aktivitete.

Lidhur me këto aktivitete ilegale dhe ndërhyrje direkte të Serbisë, FFK do të reagojë dhe do të kërkojë ndërhyrjen e UEFA-s, gjatë takimeve që do t’i ketë delegacioni i Kosovës në Kongresin e radhës, që do të mbahet nesër në Lisbonë të Portugalisë.

Serbia zhvillon ndeshje ilegale në territorin e Kosovës, reagon

federata e futbollit të kosovës uefa