Atletiko e Madridit dhe Arsenali barazuan 1-1 në përballjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, në një ndeshje ku të dy golat erdhën nga pika e penalltisë dhe ku tensioni ishte i pranishëm deri në fund.
Sfida u karakterizua nga një lojë e kujdesshme nga të dyja ekipet, me momentet vendimtare që erdhën nga 11-metërshat. Asnjëra skuadër nuk arriti të merrte fitoren përpara ndeshjes së kthimit, duke lënë gjithçka të hapur për kualifikimin.
Pas përfundimit të takimit, një episod tensioni përfshiu lojtarin e Arsenalit, Ben Uajt, dhe stafin e Atletikos së Madridit. Mbrojtësi anglez, teksa po i drejtohej tunelit, shkeli mbi stemën e klubit vendas, veprim që shkaktoi reagim të menjëhershëm.
Fillimisht ishte Xhuliano Simeone që u përplas me lojtarin, ndërsa më pas ndërhyri edhe trajneri Diego Simeone. Edhe pse në fillim u duk se ai po përpiqej të qetësonte situatën, më pas u përfshi drejtpërdrejt në debat. Ndërhyrja e sigurimit ishte e nevojshme për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Pamjet e incidentit janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendje të madhe.
Ndeshja e kthimit, që do të vendosë skuadrën finaliste do të luhet të martën, më 5 maj.
Lini një Përgjigje