Bërnli ka vendosur t’i besojë drejtimin e përkohshëm të skuadrës Majkëll Xhejms Xhekson për ndeshjet e mbetura në Premier Ligë, pas largimit të trajnerit Skot Parker. Emri mund të krijojë konfuzion për shkak të ngjashmërisë me ikonën e muzikës, por bëhet fjalë për trajnerin anglez që prej kohësh është pjesë e stafit teknik të klubit.
Vendimi u bë publik përmes një komunikate zyrtare, ku Bërnli njoftoi ndërprerjen me marrëveshje të dyanshme të kontratës me Parker. Ky hap vjen pas rënies matematikore të skuadrës në Championship, duke mbyllur para kohe objektivat e sezonit.
Majkëll Xhekson nuk është një emër i panjohur për klubin. Në sezonin 2021-2022 ai ka drejtuar skuadrën U23, ndërsa gjatë edicionit 2022-2023 ka qenë pjesë e stafit si bashkëpunëtor i Vinsent Kompani. Përvoja e tij brenda strukturës së klubit shihet si një faktor stabilizues në këtë fazë tranzitore.
Debutimi i Xhekson si trajner i parë pritet të vijë në përballjen ndaj Lidsit, ndërsa drejtuesit e Bërnlit kanë nisur paralelisht kërkimet për një trajner të përhershëm për sezonin e ardhshëm.
Në këtë periudhë të mbetur të kampionatit, vëmendja do të jetë edhe te performanca e lojtarëve, përfshirë sulmuesin shqiptar Armando Broja, i cili do të ketë një drejtim të ri teknik në javët e fundit të sezonit
Lini një Përgjigje