
Brazili mbetet e vetmja përfaqësuese që ka marrë pjesë në çdo edicion të Kupës së Botës që nga krijimi në vitin 1930. Kjo traditë pritet të vazhdojë edhe në Botërorin e vitit 2026 në Shtetet e Bashkuara, ku “Seleçao” do të regjistrojë pjesëmarrjen e 23-të radhazi.
Krahas kësaj pranie të pandërprerë, ekziston edhe një tjetër statistikë e veçantë: në çdo edicion të Kupës së Botës ka qenë i pranishëm të paktën një trajner brazilian në drejtimin e një ekipi pjesëmarrës. Megjithatë, kjo seri mund të ndërpritet pikërisht në Botërorin e ardhshëm.
Arsyeja lidhet me një ndryshim të rëndësishëm te vetë Brazilit, i cili tashmë drejtohet nga tekniku italian Karlo Ançeloti, duke i dhënë fund traditës së trajnerëve vendas në pankinën e tij. Ndërkohë, asnjë nga skuadrat që kanë siguruar tashmë kualifikimin nuk drejtohet nga një trajner brazilian.
Në mesin e ekipeve që do të luajnë në “play-off”-in kontinental dhe ndërkontinental, vetëm Shqipëria ka në pankinë një trajner brazilian, Silvinjon. Kjo e vendos përfaqësuesen kuqezi në një pozicion kyç për vazhdimësinë e këtij rekordi.
Nëse Shqipëria arrin të kualifikohet në Botëror, tradita e pranisë së trajnerëve brazilianë do të vijojë. Në të kundërt, eliminimi i saj do të shënonte edhe fundin e këtij rekordi unik në historinë e Kupës së Botës.
Lini një Përgjigje