
Shqipëria do të zbresë sonte në fushë për një përballje të rëndësishme ndaj Polonisë, e vlefshme për fazën “play off” të Botërorit. Kombëtarja kuqezi, e drejtuar nga trajneri Silvinjo, synon të marrë një rezultat pozitiv në një transfertë të vështirë, pavarësisht se në letër kundërshtari konsiderohet favorit.
Polonia mbetet një kundërshtar i njohur për Shqipërinë, me përballje të shumta në vitet e fundit. Kujtojmë se rreth tre vite më parë, në një konferencë për shtyp, trajneri brazilian Silvinjo shprehej me vendosmëri: “Lojtarët tanë do ta hanë barin”, duke sinjalizuar frymën luftarake të skuadrës.
Edhe pse ajo ndeshje u mbyll me një humbje minimale për kuqezinjtë, paraqitja u vlerësua si shumë pozitive dhe tregoi menjëherë ndikimin e trajnerit të ri pas largimit të Edi Rejës.
Në një tjetër përballje të zhvilluar në Tiranë, Shqipëria arriti një fitore bindëse 2-0 ndaj Polonisë. Golat e shënuar nga Jasir Asani dhe Mirlind Daku vulosën një paraqitje të suksesshme dhe rritën besimin në skuadër.
Sfida e sotme do të zhvillohet në Varshavë, ku pritet një atmosferë e zjarrtë dhe presion i lartë nga tifozët vendas. Ndeshja Poloni-Shqipëri do të nisë në orën 20:45.
Kuqezinjtë do të kërkojnë të përsërisin paraqitjet pozitive dhe të mbajnë gjallë shpresat për një kualifikim historik.
Lini një Përgjigje