Sport15 Qershor 2024, 21:00

Shqipëria luan ëndrrën europiane/ Nis sfida kundër Italisë, stadiumi i Dortmundit vishet kuq e zi!

Shkruar nga Pamfleti

Shqipëria luan ëndrrën europiane/ Nis sfida kundër

Starton ndeshja e shumë pritur nga të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës. Italia dhe Shqipëria kanë prekur tapetin e stadiumit “Signal Iduna Park” të Dortmuundit, ku të pranishëm janë 50 mijë tifozë.

Italia është favoritja më e madhe për ta nisur “EURO 2024” me një fitore, duke mposhtur Shqipërinë, me 66.3% të 10.000 simulimeve para ndeshjes të superkompjuterit “OPTA”. “Axurrët” kërkojnë të bëhen vetëm skuadra e dytë që ka mbrojtur me sukses titullin e Kampionatin Europian, pas Spanjës.

Trajneri i Shqipërisë Silvinjo do të bëhet braziliani i parë që do të menaxhojë një kombëtare në një Kampionat Europian që nga koha e Luiz Felipe Skolarit me Portugalinë në vitin 2008.

Luçiano Spaleti do ta udhëheqë Italinë në të 11-tin Europian të saj në histori. Pavarësisht faktit se vetëm Gjermania dhe Spanja (3 herë) e kanë fituar atë më shpesh se axurrët (2 herë, më 1968 dhe 2021), ata nuk janë ndër favoritët sipas superkompjuterit “OPTA”. Italisë i jepet vetëm 5% mundësi për të mbrojtur “kurorën” e “EURO 2021”, me gjashtë skuadra të tjera që konsiderohen fituese më të mundshme.

Nëse ia del deri në fund, Italia do të bëhet vetëm skuadra e dytë që fiton Europianin e dytë radhazi pas Spanjës (2008 dhe 2012). Shqipëria është kundërshtari i saj i parë në Grupin B. Pavarësisht se skuadra e Silvinjos ka talente sulmuese si Armando Broja dhe Rei Manaj, do t’i duhet punë për ta përballuar Italinë, e cila ka pësuar vetëm 6 gola në 12 ndeshjet e fundit në këtë kompeticion.

Shqipëria po bën paraqitjen e saj të dytë në një Kampionat Europian (i pari në “EURO 2016”, kur u eliminua në fazën e grupeve, duke përfunduar e treta pas Francës dhe Zvicrës). Fitorja e vetme e kuqezinjve në finalet e këtij kompeticioni erdhi kundër Rumanisë, më 2016, me rezultatin 1-0, falë një goli të Armando Sadikut.

Itali-Shqipëri, ballë për ballë

Ky do të jetë takimi i parë i Italisë dhe Shqipërisë në një turne madhor. Italia i ka fituar të katër përballjet e mëparshme me Shqipërinë (7 gola pro, 1 kundër), të cilat janë zhvilluar të gjitha nga viti 2014 e këtej.

Fitorja 1-0 në miqësoren e Genoa më 2014 u pasua nga fitoret 2-0 dhe 1-0 në kualifikimet për Kupën e Botës 2018. Ndeshja e tyre e fundit i pa axurrët të fitonin 3-1 miqësoren në Tiranë, në nëntor 2022, falë golave ​​të Giovanni Di Lorenzo dhe Vincenzo Grifo (2).

shqipëria italia "euro 2024"