Sport20 Shkurt 2024, 17:18

Si vendosi Brehme të gjuante me këmbën e dobët penalltinë që vlente një Kupë Botë për Gjermaninë (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Si vendosi Brehme të gjuante me këmbën e dobët

Bota e futbollit u trondit mëngjesin e 20 shkurtit pas ndarjes nga jeta të legjendës gjermane, Andreas Brehme në moshën 63-vjeçare pas një arresti kardiak.

Në këtë ditë të dhimbshme për futbollin gjerman dhe atë botëror, mediat kanë zgjedhur që t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë edhe historisë së tij në Kupën e Botës të vitit 1990, ku ngriti Gjermaninë në majën e Botës për herë të tretë në histori.

Në finalen kundër Argjentinës, Rudi Fëler fitoi një penallti në minutën e 84, teksa rezultati ishte 0-0, por sulmuesi vendosi që mos ta godiste atë, edhe pse ishte i pari në radhë kur bëhej fjalë për penalltitë. Fëler kishte frikë nga “mallkimi” i lojtarëve që fitonin penallti dhe e godisnin vetë atë, që i bënte ta humbnin.

Kështu Fëler vendosi që t’ia linte Mateusit, por dhe ky i fundit vendosi që mos ta godiste, me radhën që vinte më pas te Brehme.

Mbrojtësi i majtë ishte një nga ekspertët e goditjeve të dënimit dhe 11-metërshave, i cili kishte një të majtë të pakapshme, duke u cilësuar dhe si një nga mëngjarashët më të mirë në botë.

Por vendimi që Brehme mori ishte i habitshëm për të gjithë, me mbrojtësin që vendosi të gjuante me të djathtën, këmba e tij e dobët, përballë një portieri si Gojkoçea, ekspert për të ndalur 11-metërshat.

Gjithsesi duket se vendimi që Brehme mori rezultoi i duhuri, duke shënuar në minutën e 85, i cili solli Kupën e tretë të Botës për Gjermaninë Perëndimore.

Ende edhe sot kjo cilësohet si një nga historitë më të veçanta në futboll, me Brehmen që i tregoi të gjithëve se edhe në momentet më të vështira, ja vlen të rrezikosh.

andreas brehme ish-futbollisti gjerman