TAGS-AT E JAVËS

Sport 2 Dhjetor 2025, 22:35

Siti vuan përballë ish ekipit të Brojës, Haland thyen rekordin e bomberëve të mëdhenj të Premier Ligës

Shkruar nga Pamfleti

Siti vuan përballë ish ekipit të Brojës, Haland thyen

Fulhami dhe Mançester Siti dhuruan një ndeshje spektakolare që do të mbahet mend gjatë. E vlefshme për javën e 14 në Premier Ligë, ku u shënuan plot 9 gola, rezultati final 4-5 për Sitin.

Serinë e golave për “Qytetarët” e hapi i zakonshmi Erling Haland, i cili shënoi në minutën e 17-, pas asistit të marrë nga Zheremi Doku. Norvegjezi shkruajti historinë në Premier Ligë, duke u bërë lojtari që arrin shifrën e 100 golave më shpejt se kushdo tjetër. Ky ishte goli i 15 për Haland në këtë sezon në kampionat.

Haland ia ka dalë në ndeshjen e tij të 111 në elitën e futbollit anglez, duke shkatërruar një rekord që mbahej nga Alan Shirer, të cilit i ishin dashur 13 ndeshje më shumë. Herri Kejn, zbret tashmë në vendin e tretë me 141 ndeshje duke nxjerrë jashtë podiumit Serxho Agueron të cilit iu deshën 147 të tilla.

Në minutën e 37, Haland u kthye në asistues dhe Tixhani Reijnders dyfishoi shifrat për Sitin. Në fund të pjesës së parë, Fil Foden shënoi golin e tretë për ekipin e Guardiolës, me një super goditje të fuqishme në kufijtë e zonës së rreptësisë. Në minutat shtesë të pjesës së parë, vendasit ngushtuan shifrat me golin e Smith Rou. Pjesa e parë u mbyll 1-3 për Sitin.

Pjesa e dytë në “Craven Cottage” ishte spektakolare. “Qytetarët” e nisën vrullshëm duke shënuar edhe dy gola të tjerë. Fil Foden shënoi golin e dytë personal në minutën e 48, sërish pas asistit të Haland dhe në minutën e 54 ishte autogoli i Sander Berg, duke i çuar shifrat në 1-5 për Sitin.

Pikërisht atëherë kur u mendua që fati i ndeshjes ishte vulosur, erdhi reagimi i vendasve. Aleks Ivobi shënoi në minutën e 57 një gol tejet të bukur me një goditje perfekte nga distanca. Samuel Çukueze, i ardhur nga Milani në merkaton e verës, shënoi dy gola të bukur në minutat 72 dhe 78, duke ngushtuar shifrat në 4-5. Minutat e fundit ishin vërtet drithëruese për të dy ekipet, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.

Mançester Siti fiton 4-5 dhe rrit presionin ndaj Arsenalit. “Qytetarët” kanë 28 pikë, dy pikë më pak se “Topçinjtë”, të cilët luajnë nesër ndaj Brentfordit.

 

mançester siti fulham premier liga

Lini një Përgjigje